TIRANË

Për Kreun e Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka veprimet e opozitës kanë qenë të konkorduara shumë mirë. Në studion e “Real Story” në News24, Duka ka komentuar qëndrimin e sotëm të opozitës për të marrë pjesë në tryezën e OSBE-së për reformën zgjedhore në nivel teknicienësh.

Ai tha opozita ka pranuar për të mos u treguar refraktare dhe nga ky moment ka vetëm hapa para, por sipas tij hapat pas tani i bën maxhoranca.

“Presionin nuk e kemi bërë ne të vegjlit por presionet në politikën shqiptare janë bërë nga ndërkombëtarët. Për të mos u treguar refraktare, pranuam të shkojmë në nivel teknicienësh. Ne bëjmë vetëm hapa para tani, hapa pas i bën maxhoranca. Pas kësaj do reformatohet komisioni i reformës zgjedhore dhe do fillojnë ato bisedat.
Një kusht i CDU është që të plotësohet Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet dhe nga ana tjetër të hetohet krimi zgjedhor. Ka qenë një veprim i konkorduar i komplet opozitës. Ne kemi bërë takime periodike. Kemi një kohezion veprimesh. Ndryshimi është ky që ne po bëjmë një hap para dhe nga ana tjetër mendojmë që të rakordojmë veprimet tona që të kemi një produkt politik”, deklaroi Duka.

Ndërsa analisti Agron Gjekmarkaj duke folur për vendimin e grupeve parlamentare të Bundestagut gjerman CDU/CSU dhe SPD tha se konfirmon shqetësimet e opozitës.
“Sot ka dy lajme të mira. Deklarata e CDU/CSU konfirmon shqetësimet e opozitës. Lajmi i dytë i mirë është që do hapen negociatat por pasi Rama të ndërtojë shtetin”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb