TIRANË

Vazhdimësia është e vetmja mënyrë që protesta e opozitës e paralajmëruar më 16 shkurt të ketë sukses. Ky është opinioni i analistit e publicistit Besnik Mustafaj i shprehur sot në News24.

Ai tha se një tjetër mundësi që kjo protestë të ketë sukses është opozita të ketë marrë mësime nga e kaluara. Mustafaj u shpreh optimist se kjo protestë e opozitës do të sjellë shpresë.

“Në këto vite ka pasur vazhdimisht protesta të organizuara nga opozita ose nga shoqëria civile. Ato të organizuara nga shoqëria civile kanë qenë të suksesshme. Kujtojmë atë për armët kimike, apo edhe ajo e Unazës së Re, që më pas solli zbulimin e skandalit. Protestat janë të dobishme. Ne kemi një situatë ku edhe Fatos Lubonja është plotësisht në mbështetje të protestave. Pra edhe zërat relevantë janë pro protestave.

E reja vjen edhe tek fakti se pakënaqësia popullore është shumë më e përgjithësuar se një vit më parë. Ka përfshirë shoqërinë shqiptare. E reja e dytë është që duhet të shpresojmë që opozita vjen më e pjekur pasi vjen pas një ristrukturimi të brendshëm, pas një dështimi me çadrën ku duhet të nxjerrë mësimet e veta, dhe pas një reflektimi pas refuzimit që i bënë studentët. Janë të gjitha këto elementë që sjellin shpresë se do të ketë të reja. Rezultati është nëse protesta do ketë vazhdimësi. E vetmja mundësi që protesta të ketë sukses është vazhdimësia dhe që opozita të ketë nxjerrë mësimet e veta”, deklaroi Mustafaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb