TIRANË- Ashtu siç ishte paralajmëruar në orën 9:30 ka nisur protesta e opozitës para parlamentit ku kërkohet dorëheqja e kreut të Kuvendit, Ilir Meta për akuzat e ngritura nga deputeti Tom Doshi. Pavarësisht reshjeve të shiut, protestuesit janë vendosur në hyrje të parlamentit për të mos lejuar deputetët e maxhorancës të hyjnë në seancë. Nga raportimet në terren, mësohet se deputetët janë futur në parlament jo nga hyrja e zakonshme, e cila është bllokuar nga protestuesit. Para parlamentit ka gjithashtu edhe një numër të madh policësh për të mbajtur nën kontroll situatën. Kjo, edhe për faktin se ishte parashikuar një pjesëmarrje masive e qytetarëve në këtë protestë. Ndërkohë që seanca ka filluar pa kreun e Kuvendit, i cili vijon takimet zyrtare në Zvicër.

Ora 10:40- Deputetët e PD-së i janë bashkuar protestuesve. Deputeti Edmond Spaho ka folur para turmës duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeparlamentarit.

Ora 10:00- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka mbajtur një fjalim të shkurtër para se deputetët e PD-së të hynin në seancë. Paloka ka ripërsëritur kërkesat e opozitës për dorëheqjen e kreut të Kuvendit. “Kërkojmë largimin e kreut të Kuvendit. Meta të dalë përpara drejtësisë”, tha Paloka. Ai njoftoi protestuesit se deputetët do të qëndrojnë për pak minuta në parlament për tju bashkuar më pas sërish protestës.

Ora 9:30- Ndërkohë në selinë e PD-së, është mbledhur grupi parlamentar që drejtohet nga Edi Paloka, pasi Basha është në Bruksel ku do të ketë takime me përfaqësuesit e PPE. Në mbledhje janë diskutuar detajet e fundit mbi qëndrimin e PD-së, si për seancën plenare ashtu edhe për protestën. Deputetët e PD do të kërkojnë sërish dorëheqjen e Metës dhe nuk do të pranojnë diskutimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: