TIRANE

Ka zgjatur rreth 4 orë protesta e opozitës. Pas dy marshimeve rreth Kryeministrisë dhe një deri në sheshin “Skënderbej” e tek parlamenti, protesta është mbyllur në oborrin e selisë së PD.

Gjatë protestës u krijuan momente tensioni tek parlamenti ku ndodheshin një pjesë e protestuesve. Protestuesit tentuan të thyejnë kordonin policor por janë shpërndarë me gaz lotsjellës nga policia. Ata kanë qëlluar me sende të forta e gurë por policia është përgjigjur me gaz lotsjellës. Ndërkohë policia ka hedhur dhe ujë me bote për të larguar protestuesit.


Turma është ftuar për të marshuar rreth e rreth Kryeministrisë si simbolikë për rrethimin e qeverisë nga qytetarët. Pasi është sjellë dy herë rreth Kryeministrisë, turma ka vijuar drejt qendrës së kryeqytetit. Një pjesë është vendosur pranë parlamentit ku kanë tentuar të hyjnë brenda por janë ndaluar nga policia e cila ka hedhur gaz lotsjellës.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita e bashkuar nisi protestën para godinës së Kryeministrisë në orën 11:00. Kjo është protesta e pestë nga 16 shkurti por e dyta para kryeministrisë.

Opozita akuzon qeverinë për lidhje me krimin, blerjen e votave dhe kërkon qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër. Gjithashtu opozita kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.  Opozita e bashkuar vendosi të djegë mandatet e deputetit dhe thotë se nuk do ndalet deri në largimin e Edi Ramës.


Në terren jane angazhohuar 1600 efektivë. Për të shmangur dëmtimin e godinës së Kryeministrisë si dhe hyrjen e protestuesve brenda, godina është veshur me llamarina në ambientet e jashtme.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Basha tha nga selia e PD pas mbylljes së protestës për sot se vërshimi popullor nuk do ndalet.

“E gjithë bota e ka parë sot vendosmërinë e një populli të bashkuar për liri dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmerisë.  E gjithë Shqipëria dhe bota e ka parë sot vendosmërinë e një populli të bashkuar për liri dhe demokraci për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë së Ramës dhe klikës së tij. Ne e kemi ndalur dhe do ta hedhim në lum qeverinë e tij kriminale dhe parlamentin e tij të krimit. Nuk ka rrugë tjetër përveç protestave popullore. Jemi shumë më shumë sot në 16 mars. 16 shkurti i hapi rrugën një vërshimi popullor që nuk do të ndalet por do të vijojë kundër grushtit të kriminelëve në pushtet”- tha Basha.

Protestuesit hedhin gurë drejt policisë, 3 efektivë të plagosur

Ora 13:30– Pas hedhjes së gaz lotsjellës nga policia, protestuesit kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të tyre para godinës së parlamentit. Si pasojë e hedhjes së gurëve janë plagosur 3 efektivë policie, ndërsa probleme kanë shfaqur edhe protestuesit si pasojë e gazit lotsjellës.

Tensione tek parlamenti, hidhet gaz lotsjellës
Ora 13:20- Protestues të shumtë kanë qendruar tek parlamenti, një pjesë e të cilëve kanë tentuar të çajnë rrethimin e policisë. Kjo e fundit është përgjigjur me gaz lotsjellës. Protestuesit kanë shkulur gurë e pllaka nga trotuaret dhe rruga duke i hedhur drejt parlamentit.

Marshimi i tretë i protestës rreth Kryeministrisë
Ora 12:42- Vazhdon marshimi i tretë i protestuesve rreth e rreth Kryeministrisë. Ish-deputeti i PD Flamur Noka i ka bërë thirrje protestuesve të ndjekin kryetarin e PD Lulzim Basha. Kësaj radhe marshimi ka vijuar nga para Kryeministrisë drejt sheshit Skënderbej dhe më pas për t’u kthyer. Si kryetari i PD Lulzim Basha ashtu dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi nuk kanë dashur të flasin për momentin duke e lënë në pikëpyetje mënyrën e vazhdimit të protestës.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Protestuesit rrëzojnë rrethimin me tela

Ora 12:15: Disa nga protestuesit jgatë marshimit rreth e rrotull Kryeministrisë kanë rrëzuar gardhin me tela të vendosur nga policia, si në pjesën pas Kryeministrisë ashtu dhe nga ana e Piramidës. Protestuesit kanë hedhur shashka dhe gurë. Kreu i PD prin protestuesit dhe për shëndetet me ta, ndërsa hera-herës dëgjohen zhurmat e fishekzjarreve e shashkave.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Turma rrethon kryeministrinë, Noka: Rama ik, dorëzohu

Ora 12:10- Ish-deputeti Flamur Noka ka marrë sërish fjalën dhe iu ka kërkuar protestuesve të vazhdojnë marshimin rreth Kryeministrisë. Ai i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të largohet sa nuk është vonë. “A e mbajmë të rrethuar strehën e krimit e korrupsionit? A e vazhdojmë marshimin?”, tha Noka, teksa në sfond luhej muzika e njohur e filmit Skënderbeu.

Ish-kryeministri Berisha nuk mungon në asnjë protestë

Ora 12:05-  Ish- kryeministri Sali Berisha nuk ka munguar as në këtë protestë të opozitës së bashkuar. Sic duket edhe në foto ish-kryeministri është parë në sheshin para kryeministrisë i rrethuar nga protestues e përkrahës të tij. Ndryshe nga më parë, Berisha është larguar më herët nga protesta e opozitës për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Burimet thanë së ish kryeministri është është prekur nga viroza ndaj edhe i është dashur të largohet më herët sheshi i protestës. “Tirana sot si kurrë ndonjëherë me parë ul qepenat dhe derdhet në shesh!” -deklaron Berisha, ndersa krah tij qëndron shfaqur përfaqësues i partisë CDU në Gjermani , Martin Henze. Zyrtari gjermani, u bë kështu pjesë e protestës së sotme të opozitës në Tiranë, duke u shfaqur në krah të ish-kryeministrit Sali Berisha.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Protestuesit hedhin shashka dhe tymuese drejt Kryeministrisë

Ora 12:00– Pas rrethimit të kryeministrisë në mënyrë simbolike, protestuesit kanë hedhur shashka dhe tymuese në drejtim të godinës së kryeministrisë.

E motra s’la mandatin, Kiri Hajdari besnik i kryedemokratit Basha

Ora 11:50- Edhe pse e motra nuk pranoi të dorëzojë mandatin, duke dalë kështu kundër vendimit politik të partisë së saj, Kiri Hajdari duket të jetë ndër më besnikët e kryedemokratit Lulzim Basha. Ai është parë në krah të kreut të opozitës gjatë marshimit drej kryeministrisë, në protestën e opozitës së bashkuar.

Noka: Rama ik, nuk përfaqëson më popullin

Ora 11:40- Ish-deputeti Flamur Noka ka marrë fjalën i pari në protestë dhe ka ftuar protestuesit të marshojnë. Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të ikë, pasi nuk përfaqëson më popullin.
“Të tregojmë se dimë të protestojmë. Të ju tregojmë se përfaqësojmë vlerat tuaja, vlerat e qytetrimit. Ne do të marshojmë, kjo protest do të jetë marshim.
Përshëndetje vëllezër dhe motra. Qytetarë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Kjo është protesta më e madhe që ka njohur ndonjëherë historia. Kjo është shenjë e revoltës më të madhe popullore ndaj një regjimi. Rama ik! Rama ik, se nuk përballon revoltën e popullit ndaj teje dhe bandës tënde.
Ne sot po bëjmë një muaj nga dita kur ju qytetarët e Shqipërisë, populli shqiptar, vendosi të shkruajë historinë e vet. Është dita kur këto zyra, ky kryebandit që është i strehuar aty mori një mesazh. Dhe mesazhi çdo ditë e më shumë kumbon ‘Rama ik, Rama ik’.
Rama ik, se ti nuk mundesh të rrish më në atë karrige. Ti mund të ikësh kudo, por je i rrethuar, kudo që të shkosh, je i rrethuar nga revolta e popullit tënd. Je i rrethuar nga përbuzja e qytetarëve të tu, që i ke shkelur, i ke dhunuar dhe i ke varfëruar. Rama ik!
Vëllezër e motra, kjo protestë do të jetë marshim. Na ndiqni! Do të jetë marshim, sepse ne do të tregojmë se dimë të protestojmë, Rama ik, Rama ik! Na ndiqni! Na ndiqni në këtë marshim proteste, në këtë marshim revolte ndaj bandës dhe korrupsionit, ndaj kryebanditit. Rama ik! Rama ik! Rama ik! Populli ka folur! Rama ik! Nuk përfaqëson dot ti shqiptarët më. Rama ik! Rama ik! Rama ik! Na ndiqni, na ndiqni vëllezër!
Rama ik! Rama ik! Koha e fjalëve ka mbaruar. 16 shkurti ishte dita kur koha e fjalëve mori fund. Është koha e veprimit qytetar, Rama ik, Rama ik. Na ndiqni, e morët e vesh apo jo?!
Marshim proteste! Do të marshojmë, protest ndaj bandës. Përpara!”, tha Noka.

Kryemadhi: Sot hapet etapë e re, protesta në dorë të qytetarëve   

Ora 11:20 -“Çdo ditë që Rama qëndron në pushtet është ditë e zezë. Shqiptarët po kuptojë se e keqja më e madhe është përfaqësuesi i krimit. Janë qytetaret që vendosin se sa do të zgjasë protesta. Ish deputetët e opozitës janë qytetar dhe ne sot jemi qytetarë të thjeshtë. Ne jemi përfaqësues të atyre njerëzve që duan taksa më të ulëta, duan shëndetësi me standarde evropiane. Sot nis një etapë e re”- tha Kryemadhi.

Basha del nga selia, i bashkohet protestuesve tek Kryeministria

Ora 11:10- Kreu i PD Lulzim Basha i shoqëruar nga anëtarët e tjerë të PD ka dalë nga selia blu dhe i është bashkuar protestueseve tek Kryeministria.

Protesta e opozitës tek kryeministria, nis marshimi drejt Bulevardit

Ora 11:02– Protestuesit  e grumbulluar në pika të ndryshme të kryeqytetit kanë nisur marshimin në drejt Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ për të mbërritur para godinës së kryeministrisë.

Shoqërohet një protestues, ofendoi punonjësit e policisë me fjalë

Ora 10:30- Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se një qytetar që kishte mbërritur për protestën në Bulevard është shoqëruar nga policia pasi ka përdorur fjalë fyese ndaj efektivëve të policisë që ndodhen rreth Kryeministrisë. Nuk dihet identiteti, por sipas burimeve, qytetari do merret në pyetje dhe mund të lirohet.

Basha mbërrin në selinë e PD, shoqërohet nga bashkëshortja

Ora 10:20- Kreu i PD, Lulzim  Basha ka mbërritur në selinë e PD rreth 1 orë para nisjes së protestës para godinës së kryeministrisë. Mësohet se kryedomokrati ka mbërritur në seli së bashku me bashkëshorten e tij.

Opozita protestë para kryeministrisë, ja nga do e ndjekë Rama

Ora 10:05-Kur na ndajnë më pak se 1 orë nga protesta e opozitës përballë godinës së kryeministrisë, mësohet se kryeministri Edi Rama nuk do jetë në Tiranë. Mësohet se kryeministri Edi Rama do jetë në qytetin e Beratit, ku do zhvillojë në orën 10:30 një takim me 200 operatorë turistik.

Emigranti: Kam ardhur nga Britania për protestë. Jo diktaturës

Ora 09:02-Qindra qytetarë janë nisur nga Shkodra për të ardhur në Tiranë ku do të zhvillohet protesta e opozitës së bashkuar. Por përveç qytetarëve që jetojnë çdo ditë në vend, protestës i janë bashkuar edhe emigrantë që jetojnë jashtë shtetit. Një prej tyre, Naim Hasani i ardhur nga Britania tha se të gjithë shqiptarët dhe qytetarët e ndershëm duhet të protestojnë kundër regjimit kriminal të Rilindjes dhe për të mbrojtur votën e lirë. Ai bëri thirrje që protesta të jetë paqësore për t’i treguar botës se shqiptarët janë një komb qytetar që nuk e do diktaturën.

Numri i protestueseve nga rrethet sipas PD:

Qarku Shkodër – 9200
Qarku Lezha – 7000
Qarku Kukës – 4100
Qarku Dibër – 3500
Qarku Durrës – 9500
Qarku Elbasan – 7800
Qarku Berat – 3400
Qarku Fier – 5600
Qarku Vlorë – 5000
Qarku Gjirokastër – 2000
Qarku Korçë – 4500

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb