TIRANË

Opozita ka vendosur ditën e protestës së radhës. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se opozita ka vendosur që të thërrasë protestë të enjten para parlamentit. Mësohet se protesta do të nisë në orën 9:30, ndërsa në 10 është parashikuar të nisë edhe seanca parlamentare.

Deri tani, nga 16 shkurti opozita ka organizuar 6 protesta para Kryeministrisë dhe parlamentit. E fundit ishte më 21 mars para parlamentit. Opozita ka djegur mandatet parlamentare, një pjesë e të cilave janë zëvendësuar nga deputetë të rinj, kandidatë të listave të PD dhe LSI të 2017.

Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ngritjen e një qeverie tranzitore që do e përgatiste vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke i hapur rrugën e integrimit europian. Në disa protesta të zhvilluara ka pasur edhe dhunë dhe policia është përgjigjur me gaz lotsjellës, e gjithashtu ka pasur protestues të arrestuar.

Një ditë më parë Basha mblodhi Grupin e ish-deputetëve dhe Kryesinë e Partisë Demokratike ku kërkoi angazhim në zona të caktuara dhe funksionim të grupeve të gatshme. Lideri i të djathtëve ka kërkuar ndër të tjera mbledhje javore të të gjitha degëve dhe përgatitje për protestat.

Demokratët janë të vendosur të protestojnë sa herë ka Parlament. Prandaj edhe Basha e ka ndalur fokusin e bisedës së tij pikërisht tek angazhimi që duhet të ketë grupi e Kryesia për protestat.
“Duhet të jeni në ballë të protestës. Mos rrini në kafe por zbrisni në terren dhe takoni qytetarët”,- mësohet të ketë thënë Basha ndër të tjera para ish-deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë së PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: