Nga LORISA YLLI*

U bë kohë e gjatë që njerëzit presin përkrahje. Data e fundit e protestës ishte 22 nëntori. Turma trembi edhe vetë pushtetarët që zgjodhën bunkerin. Shumë nga ju do thoshin që, ka kaluar pak kohë nga protesta e fundit, por për një popull që persekutohet dita-ditës, ditët quhen muaj.  Që kjo qeveri nuk po funksionon, është e qartë, edhe pse mediat shumë herë tentojnë të zbusin situatat. Në mes të kryeqytetit nuk je i sigurt, duke ecur mund të të kapë plumbi; në spital përsëri nuk ndihesh i sigurt, pasi përveç mjekësisë së çalë, qëndrojnë dhe horrat te koka e krevatit, e kështu me radhë. Çdo ditë jetojmë mes skandaleve. Të gjithë çdo ditë pyesim njëri-tjetrin: A ka zgjidhje kjo situatë apo do rrimë në heshtje dhe të numërojmë ditët?

Në rrjetet sociale mijëra njerëz kërkojnë zgjidhje dhe mbështetje. Shumë janë nga ata që na votuan pa u lodhur dhe meritojnë respekt, por shumë janë dhe ata që nuk na votuan më 23 qershor dhe presin mbështetje nga ne. Premtimet e Rilindjes ishin vetëm një flluskë sapuni (apo sarine!!!) që po i del boja dita-ditës. Kur një popull nuk del në protestë, do të thotë që fryma komuniste është më e fortë se kurrë. Disa drejtues të Partisë Demokratike prej disa ditësh na japin leksione opozitarizmi, si duhet të sillemi, si respektojnë qytetarët apo si po tregojnë se janë më të mirët për t’u votuar. Më të mirët e kujt? Deri dje, kjo parti u sulmua për arrogancë, por s’do doja kurrsesi që të tregonte arrogancë në karriget e freskëta opozitare. Të jesh opozitar, edhe pse vetëm në rrjetet sociale, pasi ajo është mbështetja që kurrë nuk na tradhton, gjejmë njëri-tjetrin si opozitarë me të vërteta të pashtrembëruara. Aty gjetëm njëri-tjetrin për armët kimike dhe aty do rigjehemi përherë për kauza që na bashkojnë, ndaj gjykimi nga zyrtarët e PD-së është paksa i tepërt! Në pamje të parë do dukej sikur na paralajmërojnë: “Boll ju, se pazarin e bëjmë ne që jemi më lart”, gjë që uroj të mos ketë pasur një kuptim të tillë, se do ishte një deklaratë shumë apolitike. Do doja shumë që kjo kryesi të reflektojë paraprakisht për arrogancën që shfaq dhe të mendojë që kjo nuk u shërben as shqiptarëve dhe as vetë opozitës. Nëse disa drejtues kanë frikën e ndërrimit të roleve opozitare, do i këshilloja të mos lejojnë hapësira të tilla; kjo, duke bërë mirë punën që u është besuar. Nuk është momenti të sulmojmë ata që kanë kundërshtar të përbashkët, por përkundrazi, të bashkohen forcat për të mirën e përbashkët. Shqiptarët sot janë europianë dhe këtë e tregojnë protestat e fundit paqësore. Rritja e taksave njëkohësisht ka sjellë rritjen e mjerimit. Si do mund t’u tregojmë qytetarëve të braktisur nga kjo qeveri harbute se ne jemi pranë tyre?!  Mos ndoshta opozitës i ka ardhur momenti të bëjë opozitën pranë qytetarëve, këmbëkryq me popullin në shesh, dhe jo pas foltores në konferencë?

(os.de/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: