DURRËS- Kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka reaguar pas akuzave të kreut të PD-së Lulzim Basha, i cili tha sot se është nën hetim pasi është përgjuar me kriminelë dhe se Rama e mbron.

Dako thotë se është i gatshëm të ballafaqohet në çdo studio apo shesh publik por shton se Basha dhe PD janë munduar t’i hapin gropën por kanë rënë vetë brenda. Më tej Dako e quan PD-në ‘opozitë pulash të lagura”.

“Me Lulzim Bashën jam i gatshëm të ballafaqohem në çdo studio apo shesh publik, për të gjitha ato që ai dhe altoparlantët e tij bërtasin për mua prej vitesh tashmë!
E vetmja gjë qe nuk bëj dot për Lulzimin dhe partinë e tij është të fitojnë Durrësin, të cilin e kanë humbur thellë dhe më thellë, duke rënë poshtë dhe më poshtë në gropën që janë munduar të më hapin mua.
Gjithë të tjerat me këtë lloj soji janë humbje kohe. Keqardhje për gjithë ata që dëgjojnë akoma Lulin dhe këtë opozitë pulash të lagura që bëjnë sikur janë ujq të tërbuar”, shkruan Dako.

Basha në një konferencë për shtyp ditën e sotme tha se kryebashkiaku i Durrësit është nën hetim pasi ekzistojnë përgjime të tij dhe kriminelëve që u ofron tendera në këmbim të votave në zgjedhjet e 25-qershorit.

Basha tha gjithashtu se për të mbrojtur Dakon, Rama largoi prokurorin Anton Martini që po merrej me çështjen duke e dërguar atë në Shkodër “me shpresën për të shpëtuar Gjushin nga prangat”.

Kreu i PD i kërkoi prokurorit të përgjithshëm të hetojë nëse lëvizja e Martinit është bërë nën presionin e Edi Ramës.

“Vangjush Dako është kapur duke bashkëpunuar me grupet kriminale më të rrezikshme të Durrësit ku i kërkon të blejnë votat. Shërbimet inteligjente e kanë kapur gafil Dakon. Ai ju premton tendera kriminelëve, janë miliona euro, që ata të siguronin vota për PS. Këto pazare janë nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Këtë e di Gjushi dhe mentori i tij Edi Rama. Ata ndërhynë për të larguar prokurorin që u mor me këtë çështje. Kjo është një nga çështjet, e dorëheqjes së shefit të SHISH”, tha Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb