Edi Rama, i ftuar në emi sionin “Real Story” të Sokol Ballës, pas gjashtë vitesh e ca qeverisje pranoi një të vërtetë të madhe në formën më unike të mburrjeve që e karakterizojnë. Mes dilemash që herë e shtyjnë të sillet si garip lagjeje, të shfaqet si më i mençuri, më i bukuri dhe më i zgjuari e herë të tjera si Peter Pan për të relativizuar gjendjen ku ndodhet vendi që ai qeveris e po kaq pozitën e vet mes hallesh, që përfshijnë foton me Obamën, evoluimin dramatik të hapjes së negociatave me BE-në, si dhe krizën e thellë politike, ai lëshoi një përcaktim delirantësh për veten. Pak a shumë tha që është një nga oratorët më të mirë në gjithë historinë e këtij vendi dhe pos të tjerash, shprehu sigurinë që do të kujtohet si orator i madh. E vërteta është se këtë shoqëri ai e ka qerasur si askush tjetër me fjalë, fjalë, fjalë, statuse, deklarata, fjalime, ERTV, TV të tjerë pa fund, çdo mëngjes, çdo pasdite, çdo darkë, çdo natë, përfshi edhe ditët e pushimit. Me një sistem mbresëlënës shpërndarjeje, Kryeministri e ka shndërruar fjalën në të vetmen punë të tij. Abuzimi pa limit me të ka krijuar një distancë të thellë me faktet. Ai shet produktin e tij kryesor, fjalën.

Historia njeh shumë oratorë të mëdhenj, që kanë lënë shenjë në fytyrën e qytetërimit. Duke u ndalur vetëm në kohët moderne, mund të përmendim Presidentin amerikan, Linkoln, me fjalimin e famshëm kur vendosi të heqë skllavërinë duke korrigjuar një krim shekullor të njeriut ndaj njeriut; Çurçillin, kur anglezëve të sulmuar nga Hitleri iu ofroi gjak, lot, djersë dhe sakrifica në emër të fitores së madhe që ua dha; Perandorin Akihito para kapitullimit, duke bindur kombin e tij për të hyrë në një epokë të re; Gandi gjithashtu, që mbante me fjalë indianët për të mos i ikur tundimit të paqes; Martin Luter Kingu me “kam një ëndërr”, i cili u bë dëshmor i ëndrrës së vet. Papa Gjon Pali me disa fjalime e qëndrime, të cilat frymëzuan ndryshimet në Lindje të konkretizuara me rënien e murit të Berlinit. Të qenit orator e sidomos i madh, për një lider politik përmbushet kur fjala e tij përputhet me aktet, duke transformuar në mënyrë radikale e pozitive jetën shoqërore.

Orator i madh ishte edhe Gebels, madje tejet i sofistikuar, por shkaktoi tragjedi njerëzore të pashembullta, aq sa sot ai kujtohet si shembulli i abuzimit me fjalën për qëllime kriminale. Një orator i madh bën akte të mëdha në politikë. Cilat janë aktet e tij për t’u shënuar? Di kush ndonjë? Edi Rama përqeshi Dash Shehin me një gjest të turpshëm fizik, për të ilustruar se sa ngulitës është si orator. Edi Rama nuk ka qenë një publicist i keq kur i kushtohej kryesisht asaj pune, edhe pse shfaqte e ende shfaq kulturë të përciptë e fragmentare nga lexime citatesh në metro. Për hir të së vërtetës, tek-tuk ka pasur edhe ligjërata kumbuese, si ajo në varrezat e Rrmajit në Shkodër për persekutimin dhe historinë e klerit katolik, apo tjetra në kthimin e eshtrave të Mithat Frashërit në Tiranë. Por qeveria e tij dekoroi persekutorët e klerit katolik dhe vazhdon diskursin ideologjik neokomunist për Luftën e Dytë Botërore në vendin tonë. Në këto raste, cila është vlera e këtyre fjalimeve? Për çfarë frymëzojnë ato? Etika e shkrimit dhe e fjalës? Oratorët e mëdhenj nuk ishin gënjeshtarë të mëdhenj. Ndërsa Edi Rama është politikani i të pavërtetave të mëdha, që ndonjëherë nuk flet keq. Duhet bërë dallimi. Me shumë gjasë ministrat e tij nënmediokër, deputetët e tij plot bëma ia kanë mbushur mendjen që si ti nuk flet askush. Fjalë në gojën tënde është flori e shkuar floririt, rrebesh e stuhi, dallgë e bunacë, cicërimë e fllad, lot e gëzim, dashuri e përqafime, llahtari e ekstazë, shpresë e përjetësi. Në krahasim me Gjushin, Rama është Demosteni vetë. Përballë Sadriut ngjan si Ciceroni. Në krah të Ulsiut përvijohet si Dantoni. Sy për sy me Faten të duket si Edmod Burke.

Me Ferhatin në anë, krejt si Eizenhauer. Rrethuar me Besën e Gentin, si Fidel Kastro, pra orator e shkuar oratorit. Kur rri me Damianin, ndihet si Konica. Teksa dëgjon Shalsin, e beson që është Noli. Të pyesësh Kumbaron, të thotë që Edi Rama, De Golin as që e vë në hesap në të folur. Deli orator. Po nëse e shtrijmë krahasimin pak përtej gardhit të Rilindjes, do të kuptojmë që dekulturimin e politikës, kultin e injorancës për të cilin Rama ka kontribut madhor, e përdor si sy mbi kënetën, si teleskopin e madh në botën e qorrave. Leskrat kulturore çajnë si transoqeanik përmes baltës mendore, me të cilën ai bën bocete politikanësh rilindës! Një orator i madh, nuk mund të jetë i tillë pa një kulturë të madhe. Prej 21 vitesh, ai është në pushtet dhe kultura e thashethemit duket që ia ka eklipsuar leximet e vjetra kur ishte djalkë plot vegime e pjalm romantik. Të vetmit libra që ka kohë të shfletojë janë revistat e marketingut në avion dhe mesazhet e të fortëve, për të cilët ka harxhuar oratori të madhe për t’i mbrojtur. Qyfyret dhe batutat pa shumë sharm që lëshon tutje tëhu në Parlament ndaj shahirit Kujtim Gjuzi, i duken si maja e piramidës oratorike, apo ato statuset ku slengu i periferisë e ul gju më gju me popullin. Cilit prej oratorëve të mëdhenj që kanë qeverisur në vendet demokratike( nëse për dy sekonda e pranojmë tonin si të tillë) i ka ikur populli? Cili e ka kanabizuar vendin e tij? Cili e ka përdorur oratorinë për të mbuluar vjedhjet e frikshme, që ndodhin në këtë truall? Cili është përpjekur të mbyllë mediat opozitare e të dhunojë opozitën!? Askush, veç oratori i madh!? Cili i ka vënë drynin demokracisë dhe realizuar votime moniste! Na pat premtuar 300 mijë vende pune dhe na lë trashëgimi fjalimin në Divjakë për shitjen e domateve. Na pat premtuar autostradën axurre dhe na lë si vepër sharjet ndaj kundërshtarëve, që ndërtuan Rrugën e Kombit. Na pat premtuar Europën dhe na dhuron fjalimin ‘Europa e ka fajin’. Na pat premtuar rend e qetësi e na lë nekrologjitë e atentateve. Na pat premtuar bereqet dhe na rras në kujtesë fjalimet frymëzuese për PPP-të klientë të pushtetit! Na pat premtuar zgjedhje të lira e të ndershme dhe na la pas vajtimin mbi dosjet e Dibrës dhe të Durrësit! Si mund të jesh orator i madh, kur rrëmon kundër besimit dhe pozitivitetit që duhet të krijojë fjala e një lideri? Bukë e fjalë të zbërdhylura do të hanë shqiptarët në çdo vakt?!

Çudi se si oratori i madh nuk e bindi Presidentin Macron, megjithëse i dhuroi edhe një palë atlete! T’ia ketë çuar më të vogla dhe i kanë vrarë këmbët?! Jetojmë në paradoks, Shqipërinë e kemi të vogël, ndërsa oratorin të madh. Në asnjë rrethanë, përmasat nuk i përgjigjen më njëratjetrës. Na duhet një orator, që t’i përputhet vendit! I madhi shkon dëm në këtë humbëtirë, që nuk magjepset më prej tij. Gjynah! Shqipëri, ç’e pate fat këtë orator bio, do të thoshte një ish-ministrushe, edhe ajo vetë zëvendësoratore e madhe./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb