Izraeli u përball mbrëmjen e sotme me atë që mund të konsiderohet si vetëm një grimcë e realitetit që do të sillte një luftë në shkallë të gjerë me Iranin, një superfuqi ushtarake në Lindjen e Mesme.

Qindra raketa të nisura nga regjimi i Teheranit “ndriçuan” qiellin mbi Tel Aviv dhe Jeruzalem pasi sistemi “Iron Dome” i Izraelit u kundërpërgjigj duke shkaktuar kështu shpërthime të shumta në ajër.

Zyrtarët izraelitë ndezën sirenat e alarmit dhe udhëzuan qytetarët t’u drejtohen vendeve të sigurta, të përgatitura për skenare të tilla.

Megjithatë, ky sulmi i Iranit nuk ishte i paparalajmëruar, teksa Shtëpia e Bardhë kishte shprehur gatishmërinë për t’i qëndruar pranë Izraelit në pritje të një sulmi nga Teherani.

Me urdhrin e liderit suprem iranian, Ali Khamenei, ky agresion erdhi si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fundit të Izraelit, të cilat arritën të eliminojnë Hassan Nasrallah, liderin e Hezbollahut së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë të grupit militant të vendosur në Liban, por që merr mbështetje të konsiderueshme nga Irani.

Pavarësisht breshërisë së raketave, ky sulm nuk shkaktoi asnjë viktimë në territorin izraelit, ndërsa mediat në Iran pretenduan se raketat arritën të godasin 80% të objektivave të tyre.

Presidenti amerikan Joe Biden urdhëroi forcat ushtarake amerikane në rajon që të ndihmojnë mbrojtjen e Izraelit kundër sulmit iranian dhe të rrëzojnë raketat, ka thënë Shtëpia e Bardhë pas sulmit.

Me përfundimin e sulmit forcat ushtarake izraelite, IDF, u shprehën se në këtë moment ata nuk identifikojnë ndonjë kërcënim tjetër nga Irani, por nuk lanë pa paralajmëruar se sulmi i sotëm nuk do të mbetej pa përgjigje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb