Kompania shqiptare e fluturimeve ajrore “Air Albania” braktisi mbrëmjen e të premtes në aeroportin e Milanos, dhjetëra pasagjerë shqiptarë me destinacion Tiranën. Pasagjerë të këtij fluturimi kanë telefonuar në redaksinë e BalkanWeb dhe News24 ku kanë rrëfyer se si “Air Albania” i braktisi në aeroport dhe punonjësit e kompanisë kanë injoruar thirrjet e tyre për ndihmë. Mbi 60 pasagjerë vazhdojnë të përjetojnë orë paniku, të braktisur në aeroport, ndërsa në mesin e tyre ka fëmijë, të moshuar dhe të sëmurë.

Pasagjerët treguan sagën e orëve të tëra pritje për t’u nisur nga Malpensa në drejtim të aeroportit “Nënë Tereza”, prej orës 14.00 të së premtes. Pasi fluturimi është shtyrë pafund, në orën 19.00 pasagjerët janë njoftuar se në 20.30 do të fluturonin nga Malpensa me një avion të “Turkish Airlines”, me avionët e të cilës operon edhe “Air Albania”. Por avioni i kompanisë turke nuk është lejuar nga kulla e kontrollit të ngrihej për fluturim. Pasi kanë qëndruar të izoluar në bordin e avionit për 2 orë me radhë, pasagjerët janë detyruar nga policia italiane të zbresin, pa asnjë shpjegim.

Pasagjeri Sefedin Matraçi tregon për BalkanWeb se asnjë avion i kompanisë shqiptare nuk mbërriti në pistën e Malpensës, pasi siç ka bërë të ditur personeli i aeroportit, Air Albania nuk ka paguar taksat aeroportuale. Sipas Matraçit, asnjë avion i Air Albania nuk do të ulet në aeroportin Malpensa deri në datën 18 tetor.

Sefedin Matraçi, pasagjer: Avioni duhej të nisej në orën 16.50. Kur kemi mbërritur në aeroport nuk ishte hapur check-ini dhe askush nuk na përgjigjej. Pasi kemi qëndruar për orë të tëra në pritje, na thonë se do nisemi në orën 20.30. Por do niseshim jo me avionin e Air Albania, por me Turkish Airlines. Pasi kemi kalur në check-in, jemi futur në avion dhe na kanë lënë në pritje për më shumë se 2 orë. Piloti dhe stafi i avionit na thonin se nuk kishin leje nga kulla e kontrollit për t’u nisur. Kemi telefonuar sërish kompaninë dhe tha thanë që avioni nga Tirana nuk ka mbërritur pasi kishte turbulenca.

Por na gënjyen sepse punonjësit e aeroportit na njoftuan se kompania Air Albania nuk kishte paguar taksat aeroportuale. Dhe deri në datën 18 tetor nuk do të ketë fluturime në aeroport.

Kam 21 vjet që udhëtoj dhe s’më ka ndodhur asnjëherë. Këtu ka fëmijë, ka të moshuar. Jemi 50-60 pasagjerë. Sollën policinë aty. Kanë ngelur të gjithë njerëzit jashtë. Ky është skandali më i madh që ka parë ndonjëherë kjo kompani, këta po heqin dorë nga njerëzit. S’kam parë kurrë braktisje kështu dhe askush nuk jep përgjigje, luajnë pingpong kush e kush të hedhë topin te tjetri.

Pasagjeri Romeo Gjergji: Kemi që në orën 2 që presim këtu. Jam i sëmurë, me diabet, me zemër. Askush nuk merr asgjë përsipër. Ne po qëndrojmë në aeroport. Nuk na sqaron njeri. Na sollën policinë në avion sikur të ishim kriminelë. A ka pronar “Air Albania”? Të na presin hotelin, kemi fëmijë, gra, të moshuar. Ne këtu po presim, po rrimë në stola. Nuk kam fjalë, nuk di ç’të them. Asnjë përgjigje nuk na kthejnë, ma kanë fikur telefonin.

Pasagjerja: Ju lutem na bëni dërman, ka fëmijë që janë nga 8 muajsh këtu. Ka njerëz që kanë vaki nëpër shtëpi dhe duhet të ikin. Kemi ngelur jashtë, na jepni zgjidhje ju lutem, jemi shumë të lodhur.

Pasagjeri: Jam 85 vjeç, kam këtu që në orën 14.00. Po më bien të fikët, jam i sëmurë me diabet dhe zemër. Kam 12 orë që rri këtu në aeroport. Nuk marrin asgjë përsipër. Unë kam ardhur nga larg, ku të shkoj unë? Kam edhe plakën, 80 vjeçe. Ku të shkojmë ne? Të vdesim përjashta? Këtu mund të jemi 200 pasagjerë, janë me fëmijë të vegjël, me pleq. Erdha të shoh fëmijët këtu në Itali, do kthehem në shtëpinë time, në Tiranë.

Pasagjeri: Kemi bërë check-in dhe kemi hyrë në avion. Na lanë aty 2 orë dhe më pas na zbritën. Askush nuk na përgjigjet në telefon. Turp të kenë, me lënë shqiptarët në 4 rrugët e Italisë. Turp!

Në pamjet që sjell BalkanWeb duken se në mesin e pasagjerëve ka edhe fëmijë. Gjithashtu, një nga pasagjerët telefonon edhe kompaninë “Air Albania” por punonjësja i sorollat ata me lojë fjalësh dhe më pas mbyll telefonin.

***

Kompania ajrore “Air Albania” është në pronësi të qeverisë shqiptare dhe me aksioner shumicë biznesmenin Sinan Idrizi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb