Organizata e të rinjve europian shprehet e shqetësuar për Shqipërinë në një deklaratë të bërë pas zhvillimeve të fundit në vendin tonë. Në deklaratë të rinjtë e PPE thonë se kjo qeveri duhet vënë para përgjegjësisë duke numëruar problemet e shumta si dhe vënë në dukje çështjen e blerjes së votave.

“Shqipëria sot po përjeton kohë monumentale që nuk kanë precedentë në historinë e saj. Opozita shqiptare e bashkuar ka vendosur të tërheqë mandatet e saj parlamentare si përgjigje ndaj përgjimeve e publikuara nga Zëri i Amerikës. Këto përgjime vërtetuan denoncimet dhe akuzat e bëra nga Partia Demokratike gjatë këtyre viteve.
Përgjimet zbuluan prova konkrete që kryebashkiaku i Durrësit, qytetit të dytë më të madh në Shqipëri, Vangjush Dako, ka bashkëpunuar në mënyrë direkte gjatë zgjedhjeve të 2017 me një nga familjet kriminale më të fuqishme të Durrësit për të përfituar vota për Partinë Socialiste.
Të njëjtat regjistrime kanë dhënë indicie të forta që Damian Gjiknuri, ish-ministri i infrastrukturës dhe Edi Rama, kryeministri aktual i Shqipërisë, kanë kontaktuar dhe bashkëpunuar në mënyrë direkte me kriminelë dhe njerëz të dënuar për akte kriminale që kane influencë të madhe në komunitetet e tyre përkatëse.
Në mënyrë të paevitueshme kjo rezultoi në intimidimin e mëtejshëm të votuesve, që iu desh të përballeshin me një mal kërcënimesh në rast se nuk bindeshin për të votuar siç i kërkohej”, deklaron organizata e të rinjve europianë.

Sipas saj, kryeministri socialist i Shqipërisë i ka refuzuar këto fakte dhe e ka emërtuar Zërin e Amerikës, një organizate mediatike prestigjioze e bazuar në SHBA si ‘kazan.’
“Kryeministri gjithashtu i ka ndaluar prokurorët të hapin hetime mbi këto politikaneë në rastin kur nuk ka hetime ekzistuese në proces e sipër. Ky qëndrim është mbajtur pavarësisht fakteve të pamohueshme që implikojnë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kryeministrit.
Shqipëria është anëtare e OSBE dhe NATO-s, institucione ndërkombëtare që kërkojnë qeveri solide demokratike në anetarët e tyre në mënyrë që të mos vënë në rrezikshmëri demokracinë dhe legjitimitetin e tyre. Pas zgjedhjeve të 2017, OSBE konfirmoi parregullsitë e thella të procesit elektoral në lidhje me intimidimin e votuesve dhe shitblerjen e votave, fenomene që sabotojnë procesin demokratik të Republikës. 20% e votuesve kanë pranuar që u janë ofruar para në shkëmbim për votën e tyre.
Shqipëria shpreson për hapjen e negociatave për anëtarësimin e saj në BE në Qershor 2019, por fatkeqësisht, përfaqësuesit e PPE kanë konfirmuar që kjo gjë nuk mund të ndodhë nëse ndryshime drastike nuk ndodhin deri atëherë”, thuhet më tej në deklaratë.

Po kështu theksohet se ‘qytetarët shqiptarë sot janë të detyruar të durojnë një regjim që i mohon atyre të drejtat themelore kushtetuese – një regjim që në mënyrë konstante mbyt dhe saboton zërin e mediave dhe fjalën e lirë’.

“Ky sistem politik e trajton udhëheqësin dhe aleatët e tij të ngushtë si njerëz të paprekshëm nga ligji. YEPP mbështet Shqipërinë dhe e lëshon këtë deklaratë sepse kjo qeveri duhet vënë para përgjegjësisë për hir të shqiptarëve por dhe për hir të Ballkanit Perëndimor dhe rajonit në tërësi. Zbatimi i ligjit dhe garantimi i të drejtave të opozitës së bashku me luftën kundër krimit të organizuar janë më të nevojshme se kurrë. Kjo nevojë është parashtruar qartazi dhe nga presidenti i PPE, Joseph Daul.
Garantimi i të drejtave të opozitës, zbatimi i ligjeve kundra korrupsionit, dhe implementimi i plotë i ligjeve demokratike do të legjitimojë demokracinë e Shqipërisë.
Në mënyrë që e ardhmja e dëshiruar Evropiane të kthehet në realitet, Shqipëria në mënyrë urgjente duhet të garantoje zgjedhje të lira dhe të ndershme, si e vetmja garanci për themelet dhe principet e një demokracie funksionale”, deklaron organizata e të rinjve europianë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb