Në një atmosferë festive dhe nën tingujt e muzikës është organizuar në fshatin Rroshnik të Beratit, panairi i përvitshëm i fikut, me prodhimet “bio” të zonës.

Gazetarja Eneida Petova raporton për Balkanweb se në këtë panair u ekspozuan produktet “bio” të 13 fshatrave të zonës, që njihet për kultivimin e frutave bio, ku më i njohuri është “fiku i Rroshnikit” e më pas dominojnë arrat e bajamet si dhe për prodhimin e verës e rakisë. Panairi kishte si qëllim promovimin e të gjitha produkteve të kësaj zone, produkte që u ekspozuan nga fermerët në stenda të ndara sipas zonave.

Duke qenë se fermerët këto produkte i eksportojnë edhe jashtë Shqipërisë, prodhimet përveç cilësisë kanë edhe një ambalazhim më të mirë. Vetë fermerët e zonës janë shprehur se prodhimet që ata kultivojnë janë 100% “bio” dhe kjo kërkon shumë punë. Fermerët janë shprehur se kultivimi i fikur dhe tregtimi i tij është e vetmja mënyrë jetese për shumë familje të zonës, por mirëmbajtja e produktit kërkon përkushtim të madh.

Fermerët janë shprehur se ka pasur vështirësi në vjeljen e tij, pasi nuk ka fuqi punëtore dhe të rinjtë janë larguar jashtë vendit, ndërkohë që për tregtimin e tij ata janë shprehur se tregtarët vijnë vetë në fshat dhe jua marrin produktin.

Rroshniku turistik, me rreth 4 mijë banorë njihet për prodhimet e tij “bio’, sidomos në pemëtari dhe më veçanërisht për prodhimin e rrushit dhe fiqve. I ndodhur në rrëzë të malit të Tomorrit ai është i kufizuar me Gramshin, Skraparin dhe Beratin dhe kjo zonë ka kushtet e favorshme për kultivimin e fruta-perimeve, prodhimin e verës dhe rakisë. Në zonën e Rroshnikut janë rreth 70 hektarë të mbjellë vetëm me fiq dhe dhjetëra hektar të tjera të mbjella me rrush, arra e bajame.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: