TIRANE-Duket se çdo gjë për të po shkon më së miri. Mes muzikës, punës së përditshme dhe familjes, Orgesa ka gjetur lumturinë. Edhe pse është në muajin e gjashtë të shtatzënisë, vijon të punojë në radio, madje sapo ka lançuar dhe një album të ri në tregun muzikor. Këngëtarja e pop-rock-ut, nuk bën kompromise në karrierën e saj. “Këngëtaret sot shesin imazhin e tyre dhe jo muzikën që bëjnë”, shprehet ajo me keqardhje për nivelin e muzikës shqiptare sot. Sipas këngëtares së talentuar, janë të shumtë emrat e artistëve që janë shndërruar në fenomene; kjo falë bujës që kanë shkaktuar në rrjetet sociale. Për gjithë adhuruesit e Orgesës, ajo vjen me një surprizë: shumë shpejt do të bëhet pjesë e ekranit të madh, jo si këngëtare, por këtë herë si moderatore.

Vini për publikun shqiptar me një album të ri; si ju erdhi ideja për të sjellë këtë projekt?
Kisha kohë që e mendoja këtë album dhe ky ishte momenti i duhur. “Brand New Day” titullohet albumi që unë sapo kam lançuar. E kam menduar ta sjell në mënyrë dixhitale, pasi të gjithë e dimë tashmë rolin që teknologjia ka në jetën tonë. Dua të theksoj se të gjitha këngët e albumit janë në anglisht. Në karrierën time si këngëtare e kam provuar dhe shijuar të kënduarin, si ‘live’, ashtu edhe klipet, prandaj dhe mendova se kishte ardhur moment për këtë hap. Të them të drejtën, nuk pres shumë shitje, pasi të gjithë e dimë që shitjet nuk janë më si dikur, por di që të gjithë ata që e vlerësojnë artin tim do ta shijojnë albumin “Brand New Day”.
Ashtu si thatë edhe ju më sipër, mendoni se teknologjia e dëmton punën e një këngëtari, duke dobësuar shitjet e albumit?
Absolutisht që po! E thashë dhe pak më tepër, sot është më se e thjeshtë të dëgjosh muzikë në internet, duke mos t’u dashur ta blesh një album. Prandaj dhe unë mendova ta sjell në mënyrë dixhitale. Më kanë ardhur shumë oferta që albumin t’ua shes kanaleve online, por ua kam besuar profesionistëve. Kam një kontratë me ITunes, Amazon, pra mund të dëgjohet online i gjithë albumi i ri. Kriza e albumeve ndihet tashmë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve. Edhe divat e muzikës ndërkombëtare ditët e sotme shesin jo më shumë se 1, deri në 1.5 milion kopje të albumeve, shumë pak krahasuar me atë çfarë shitej kohë më parë. E thashë edhe më sipër: nuk pres mrekullira nga shitjet e albumit tim, por vlerësime për ata që dinë të vlerësojnë një punë të mirë.
A mendoni se sot zhveshja shet? Si i shikoni këngëtaret që bëjnë karrierë në këtë mënyrë?
Pa diskutim që shet! Sot janë të shumtë ata që shikojnë një këngëtare të re, e cila ka shumë ndjekës në rrjetet sociale, pëlqehet, sidomos nga të rinjtë, dhe e ka më të thjeshtë të korrë sukses. Janë të shumta këngëtaret që bëjnë ‘show’, zhvishen, por që nuk kanë një produkt të mirëfilltë. Dhe, si rrjedhojë, publiku i mban mend vetëm klipin e bukur dhe emrin, por jo për këngën apo vokalin. Këngëtaret sot shesin imazhin e tyre dhe jo muzikën që bëjnë. Gjithnjë në klipet e mia jam munduar të sjell një fabul, që klipi të ketë një rrjedhë, të mos jetë thjesht një këngë me disa pamje të bukura në të. Me keqardhje e them, që jo të gjithë këngëtarët e bëjnë një gjë të tillë sot.
A mendoni se muzika shqiptare po kalon nga ekstravaganca në erotizëm?
Është e vërtetë kjo, madje dua të shtoj që, shpeshherë kalohet jo vetëm në erotikë, por edhe në pornografi të mirëfilltë. Është e njëjta gjë si shitja e trupit për parŕ, që edhe sot vazhdon. Do të doja shumë që një femër t’i qëndrojë me vërtetësi feminizmit të saj, duke mos degraduar në pornografi, dhe më vjen shumë keq kur disa prej tyre janë në kufijtë e moshës së mitur.
A keni ndonjë emër konkret?
Janë shumë në fakt; do të veçoja Kallashin për shembull. Unë nuk e di fare profesionin e asaj vajze, por e kam parë shpesh në foto totalisht të zhveshur dhe më e keqja është që nuk është e vetmja e këtij lloji. Rrjetet sociale janë ata që mbështesin më së shumti këto personazhe, që i pompojnë duke i shndërruar në VIP-a.
A pasurohet më thjesht një këngëtare e tillë përballë një artisti që bënë muzikë të vërtetë?
Për të tilla këngëtare është më e thjeshtë, si fama, ashtu dhe paraja. Muzika e vërtetë jo gjithnjë shpërblehet mirë, sidomos në Shqipëri. Ndërsa ekstravaganca të pasuron më shpejt; është shumë më e thjeshtë të shikosh të tilla personazhe që bëjnë klipe, apo pse jo, ftohen në klubet e natës, sesa një personazh që ti e ndesh rastësisht në një lokal dhe e kupton që ka një vokal të mirë muzikor, edhe pse nuk është zhveshur kurrë. Çdo femër është e bukur, çdonjëra prej nesh di sesi t’i nxjerrë në pah hiret e saj, por unë dhe shumë kolege të miat kemi zgjedhur tjetër rrugë drejt suksesit dhe famës.
A jeni ndjerë ndonjëherë ‘xheloze’ për të tilla këngëtare?
Shpeshherë në fakt, jo vetëm një herë. Ka pasur raste që i kam thënë vetes, “përse s’u bëre e tillë, Orgesa?”. Megjithatë ndihem mirë kur shikoj që dhe në këtë mënyrë ka njerëz që më duan. Shpeshherë më shkruajnë, më përgëzojnë, sepse kam ndenjur e tillë që kur kam dalë në skenë e deri ditën e sotme. Nuk më pëlqen të bëj të tilla kompromise me veten dhe nuk besoj se do të ndodhë ndonjëherë në karrierën time.
Mendoni se kjo ka lidhje dhe me familjen tuaj?
Natyrisht që dhe familja ka rolin e saj. Jam rritur dhe edukuar në mënyrë të përkryer nga familja ime dhe nuk kam marrë kurrë të tillë shembuj. Nga ana tjetër, jam duke u bërë nënë për herë të dytë dhe nuk do të lejoja kurrsesi që fëmijët të shikonin nënën e tyre pas disa vitesh të zhveshur. Sot, falë teknologjisë, asgjë nuk mund të harrohet dhe nuk dua që në të ardhmen atyre t’u vijë turp nga unë.
Do ta shikojmë ndonjëherë Orgesën duke kënduar tallava?
Më pëlqejnë shumë ritmet ballkanike, faktikisht. Nëse do të mund të ndërthurja folkun me rokun, do të ishte fantastike për mua! Megjithatë, nuk besoj ndonjëherë se do të këndoj atë tallavanë që këndohet në klubet e natës kohët e fundit. Nuk është në stilin tim.
Krahas muzikës, ju keni dhe punën tuaj në radio; si ia bëni me gjithë këto angazhime?
Është e vërtetë që jam mjaft e zënë. Megjithatë, nuk më pëlqen ta përkufizoj veten si një ‘super women’. Radioja është puna ime e përditshme dhe e dashuroj. Nga muzika, dashur pa dashur jam distancuar paksa, që në momentin që jam bërë nënë. Kjo për faktin se më duhej të kaloja më shumë kohë me vajzën, e cila kishte nevojë për mua. Kam eliminuar të kënduarit në lokale, pasi jeta e natës nuk bën shumë për mua, sidomos në këtë stad jete ku jam aktualisht. Në punën time kam disa projekte shumë interesante. Së shpejti do të më shihni si moderatore me një program televiziv.
Jeni në pritje të fëmijës suaj të dytë; si po ecën shtatzënia?
Falë Zotit gjithçka po ecën ashtu si duhet. Jam në muajin e gjashtë dhe në mesin e majit pres të bëhem me një djalë. Shpresoj shumë që gjithçka të shkojë më së miri.
Keni menduar për emrin, apo është ende herët?
Është herët akoma për të menduar për emrin, megjithatë, si unë ashtu dhe bashkëshorti im, jemi partizanë të emrave shqiptarë. Ashtu si kemi bërë dhe me vajzën tonë që e quajtëm Bora, do të gjejmë dhe një emër tjetër shqiptar për djalin tonë. Kemi shumë emra të bukur dhe të veçantë në shqip, nuk kemi pse të huazojmë nga vendet e tjera.
A ka ndryshuar marrëdhënia me bashkëshortin tuaj ndër vite?
Ka ndryshuar goxha, në fakt. Është një ndryshim për mirë. Dihet tashmë që, kur vijnë fëmijët, dashuria ndahet në tri pjesë, dhe kjo ka ndodhur edhe me ne. Edhe pse thuhet se çiftet me fëmijë kalojnë një krizë mes tyre, në rastin tonë kjo nuk ka ndodhur. Ne e kemi shijuar shumë familjen tonë të re dhe dashuria ka ardhur duke u shtuar.
Do të hiqnit dorë nga karriera për hir të familjes suaj?
E kam bërë këtë, në një farë mënyre. Kam sakrifikuar karrierën time si këngëtare, duke iu larguar disi skenës, për të qenë më pranë familjes sime. Unë shpresoj shumë që largimi im nga muzika të mos jetë i domosdoshëm, por nëse duhet, natyrisht që do të hiqja dorë për hir të familjes.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: