Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me OSBE-në dhe mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim, vijoi takimet e konsultimit me të rinjtë, në kuadër të krijimit të urave lidhëse midis Parlamentit dhe qytetarëve, shoqërisë civile dhe të rinjëve.

Të pranishëm në këtë takim dy ditor, ishin deputetët e qarkut Korçë, z. Gjergji Papa, i dhe z. Ilir Pendavinji, si edhe të rinj nga gjimnazet e qarkut të Korçës, Bilishtit, Ersekës, Maliqit dhe Pogradecit.

Në fjalën e tyre përshëndetëse, deputetët theksuan rëndësinë e këtyre takimeve, duke shtuar se me të rinjtë, takime të tilla janë gjithmonë të dobishme.

Z. Papa, deputet i Partisë Demokratike tha se, ky është një bashkëpunim shumë i frytshëm ndërmjet deputetëve dhe të rinjve të qarkut të Korçës. “Ka qenë një bashkëpunim shumë frytdhënës, jashtë debatit politik që ne zhvillojmë në parlament dhe kemi qenë në unison me të gjithë deputetët. Ky aktivitet është një angazhim i rëndësishëm pasi Korça është një qark që krijon të gjitha mundësitë për të qenë një avangard”,- tha z. Papa.

Deputeti i Partisë Socialiste z. Ilir Pendavinji theksoi se në këto takime mund të dalin liderët e rinj të së ardhmes. “Edhe nga ky takim, edhe nga takimet e tjera, mund të dalin liderët e së ardhmes. Unë jam vërtet i entuziasmuar nga kjo pjesëmarrje kaq e madhe e gjimnazistëve të qarkut. Mbase mund të bëheni politikanë në të ardhmen, por politika është një sfidë e vështirë. Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ynë, i imi dhe i Gjergjit, duke jetuar këtu, duke qenë pjesë e këtij komuniteti, besoj se mund të zgjidhim hallet dhe problemet e banorëve të qarkut Korçë”,- tha z. Papa.

Në vijim të takimit, të rinjtë nga gjimnazet e qarkut të Korçës ngriten disa pyetje ndaj deputetëve duke marrë informacione, lidhur me funksionet e Kuvendit në mënyrë që të krijohen ura më të ngushta bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Një nga çështjet që iu dha më shumë rëndësi ishte miratimi i Kodit të Etikës dhe Sjelljes në Kuvend, ku të rinjtë e Korçës theksuan se forcat politike duhet të miratojnë këtë akt ligjor. Duke ju referuar dhe seancave te ditëve të fundit, të rinjtë ishin njëzëri të mendimit, se ky kod, duhet të gjejë miratim sa më parë.

Deputetët Papa dhe Pendavinji i pohuan të rinjve se kjo çështje, është diskutuar nën grupet e tyre parlamentare dhe besojnë që së shpejti do të gjejnë një gjuhë të përbashkët, duke e miratuar.

Takimi me deputetët, zgjati rreth dy orë, ku nuk munguan pyetjet e shumta dhe nga përgjigjet që u morën nga të dy deputetë, të rinjtë shprehën dëshirën që ky takim të zgjerohet edhe më tej. Ata sugjeruan, që nëpërmjet zyrës së deputetëve të Qarkut të Korçës, të bëhej e mundur, që të organizonin takime në shkollat përkatëse, nga ata vinin. Gjë, që u mirëprit nga të dy deputetët.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: