TIRANË- Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, theksoi sot nevojën për reformimin e transmetuesit publik në Shqipëri. Gjatë vizitës dyditore në Shqipëri, ajo trajtoi gjithashtu, çështje si pluralizmi i medias dhe përqendrimit i medias, veçanërisht gjatë procesit të kalimit në transmetimet numerike; pavarësia e organit të rregullimit të transmetimeve; të drejtat e punës të gazetarëve dhe liria e internetit.

“Sikurse shumë shtete të tjera pjesëmarrëse të OSBE-së, Shqipëria do të përfitonte nga një shkallë më e lartë e pavarësisë së medias”, tha Mijatović.

“Politikanët dhe pronarët e bizneseve duhet të heqin dorë nga manipulimi i mediave dhe i institucioneve si AMA dhe të lënë gazetarët dhe profesionistët të bëjnë punën e tyre, në mënyrë profesionale dhe të pavarur, në dobi të publikut shqiptar”, deklaroi ajo.

Mijatović theksoi rëndësinë e fuqizimit të transmetuesit publik dhe të pavarësisë së tij.

“Këshilli i ri drejtues duhet të përdorë tani zhvillimet pozitive, duke zgjedhur një drejtor dhe duke bërë përpara me reformat strukturore aq të nevojshme për të forcuar funksionimin dhe pavarësinë e transmetuesit publik”, tha Mijatović.

Në takimet e saj me zyrtarë të lartë të qeverisë, përfaqësuesja e OSBE-së ngriti edhe shqetësimin e saj për propozimin për të shfuqizuar nenin 62 të ligjit për mediat audiovizive, që rregullon përqendrimin e medias, si për ndryshimet në Kodin Civil që do t’i bënin pronarët e faqeve në internet përgjegjës për komentet online.

“Propozimi për ndryshuar ligjin për mediat audiovizive mund të ketë një ndikim shumë afatgjatë dhe negativ në pluralizmin e medias, veçanërisht në kontekstin e procesit të afërt të licencimit për transmetimet numerike”, tha Mijatović.

Në takimet e saj me gazetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile, Mijatović diskutoi për zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit dhe për të drejtat e punës së gazetarëve. Ajo vuri në dukje, gjithashtu, raportin e fundit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë lidhur me problemet e sociale dhe ekonomike me të cilat përballen gazetarët.

“E drejta e informimit për dokumente zyrtare dhe sigurimi i të drejtave të punës i lejojnë gazetarët ta kryejnë detyrën e tyre si rojtarë të interesave të publikut për të siguruar që autoritetet e të gjitha niveleve të jenë të jenë të përgjegjshme”, tha Mijatović.

Gjatë vizitës së saj, Mijatović u takua me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, ministren për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, kryetarin dhe nënkryetarin e komisionit të medias, Genc Pollo dhe Alfred Peza, kryetarin dhe nënkryetarin e organit rregullues të mediave audiovizie AMA, Gentian Sala dhe Sami Neza, kryetarin e këshillit të transmetuesit publik RTSH, Kristaq Traja, gazetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile.

E ftuar nga ministri i Jashtëm Bushati, Mijatović foli edhe në një konferencë për lirinë e medias, më 11 maj, në Tiranë, që shënoi 20-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb