Ditët e fundit të gushtit, më shumë sesa një ikje me përtacinë e kuptueshme njerëzore nga pushimet verore, duken si fillimi i rrugëtimi të ri politik që e nis në shtator. Pavarësisht shkëndijave të para të gjallërisë, atmosfera në ambjentet e selive kryesore politike rrotull qendrës së Tiranës, duket ende e përgjumur.

E para që e ka rindezur makinën e saj politike, ndryshe nga sa pritej, ishte Partia Socialiste në pushtet. Kryetari i saj Edi Rama, nga fillimi i javës e në vijim, po realizon një axhendë të ngjeshur takimesh, mbledhjesh e konsultimesh. Me lëvizjet nga jugu i Shqipërisë e në veri dhe nga Tirana në Elbasan, Kryeministri duket se po tenton që ti japi xhirot e duhura për udhë, makinës së tij politike.

Socialistët pas fitores së 60 nga 61 bashkitë e vendit në zgjedhjet lokale, kanë përpara procesin e madh të zgjedhjeve të përgjithshme në parti, që përmbyllet në Kongresin e janarit 2020. Krahas këtij procesi që do të përfshijë çdo hallkë, nga rreth 5 500 organizatat socialiste në territor e deri në forumet kryesore drejtuese të PS në të gjitha nivelet, Kryeministri Edi Rama do nisë edhe turin e takimeve e konsultimeve me “Forumet e Debatit Qytetar”, për të thelluar filozofinë e tij të bashkëqeverisjes me ta.

Fokusi i qeverisë qendrore në këtë periudhë, mbetet tek aksioni i madh kundër informalitetit, në të gjitha fushat e jetës social- ekonomike. I nisur pak javë më parë, ky aksion do të përfshijë çdo qelizë të jetës së vendit, duke e ngritur në një stad të ri sfidën e shtetformimit tonë modern.

Përmbushja e të gjitha detyrimeve, për të garantuar ngritjen dhe mirëfunksionimin e çdo hallke të sistemit të ri të drejtësisë, mbetet prioritet i prioriteteve. Ndërkohë që brenda tetorit, Shqipëria sëbashku me Maqedoninë e Veriut, presin që të marrin një datë për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Realiteti politik në kampin opozitar sa vjen dhe përvijon qartë kristalizimin e bipolaritetit të saj. Jeta opozitare ka nisur të eci gjithnjë e më e sigurte, mbi dy shina tashmë. Nga njëra anë kemi opozitën e rrugës e nga ana tjetër, opozitën institucionale. Opozitën antisistem dhe opozitën brenda sistemit politik e demokratik të vendit. Opozitën jashtparlamentare dhe opozitën parlamentare. Opozitën që po del nga skena dhe realitetet e reja opozitare që kanë hyrë e që po përgatiten që të futen vrullshëm, në skenën e madhe kombëtare.

Ky zhvillim nuk e bën skenën e përgjithshme politike të Tiranës, tripolare. Por, ajo e bën realitetin opozitar, dukshëm bipolar. Fenomeni i fragmentarizimit politik opozitar sa vjen dhe thellohet, po të kemi parasysh se edhe brendapërbrenda “Opozitës së Bashkuar” në rrugë, kemi një çarje. E cila ka nisur me qëndrimet e kundërta të PD dhe LSI për zgjedhjet e pretenduara nga Ilir Meta më 13 tetor e që vijon me një listë tjetër problemesh që po gjeneron pa u ndalur, realiteti politik i post 30 qershorit në Shqipëri.

Në këto kushte, nga kauza “ose ikën Edi Rama, ose shkrihet opozita” katërshja e lidershipit opozitar të rrugës Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi është përpara sfidës së re ekzistenciale: Ose rikthehen në sistem, ose dalin përfundimisht jashtë jetës politike të vendit. Sa më shumë kohë kalon nga mungesa e përfaqësimit të opozitës në pushtetin qëndror dhe atë lokal, aq më shumë bie pesha specifike e ndikimit të saj në jetën e vendit. Për pasojë, rrjedhja e mbështetjes nga elektorati për të, sa vjen dhe shteron në mënyrë të pandalshme.

Rruga e “Opozitës së Bashkuar” në shtator, për tu rikthyer në jetën politike e demokratike të vendit, kalon nga ulja pa kushte në tryezën e madhe të dialogut me mazhorancën e Kryeministrit Edi Rama. Nga mbështetja pa kushte për reformën në drejtësi. Nga përfshirja në komisionin e reformës së re elektorale për të adresuar të gjitha pretendimet për standardet dhe garancitë e kërkuara, për zgjedhjet e reja të 2021. Rrugë tjetër, siç u pa nga koha e djegies së mandateve të deputetëve në Parlament e deri më 30 Qershor, nuk ka.

A do vazhdojë opozita të qëndrojë ende në rrugë? Apo do të gjejë forca dhe kthjelltësinë e arsyes, për tu rikthyer sërisht në rrugën e Zotit? A do të rilindë ajo nga hiri i saj politik? Apo do ta çojë deri në fund aktin e vetvrasjes? Nisur nga këto dilema, shtatori nuk duket që të jetë thjeshtë një fletë e re në kalendarin e 2019. Por, një mundësi e re politike. Ndoshta mundësia e fundit, për ekzistencën e opozitës sonë rrugore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb