TIRANË – Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të verifikojë të gjitha pagesat e faturave të energjisë elektrike që janë bërë nëpërmjet Postës Shqiptare në që nga viti 2010.

Për shkak të mijëra ankesave që kanë mbërritur në OSHEE nga abonentët, është vendosur ngritja e një grupi të përbashkët pune me Postën Shqiptare dhe rakordimi i të dhënave për periudhën 2010-2014.

Deri më tani, pranë zyrave të OSHEE-së rezultojnë 5833 ankesa të abonentëve për këtë fenomen ndërsa u është dhënë zgjidhje 2034 prej tyre.

OSHEE i ka bërë thirrje qytetarëve që e kanë pasur këtë problem, të tërheqin pranë Postës Shqiptare një kopje të mandatit të arkëtimit që kanë bërë dhe të paraqiten në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit të kompanisë.

Për rastet kur qytetarët kanë kryer pagesën por ajo nuk është përcjellë drejt kompanisë së shpërndarjes, OSHEE do të kërkojë këtë shumë financiare nga Posta Shqiptare. Në rastet kur shuma mund të jetë derdhur por nuk është pasqyruar në sistem, korrigjimi do të kryhet nga OSHEE.

OSHEE garanton qytetarët se asnjë abonent që arrin të provojë se e ka kryer pagesën përmes shërbimit të Postës nuk do të penalizohet dhe as detyrohet të ripaguajë faturat.

Ndërkaq, për ata abonentë që me mandatin e arkëtimit provojnë se kanë paguar brenda afateve kohore faturat përmes shërbimit të Postës Shqiptare, por rezultojnë me kamatë në sistemin e OSHEE, ajo do të fshihet dhe qytetarët nuk do të figurojnë debitorë.

Jo më larg se dje, të njejtin problem e ngriti edhe Posta Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë për të verifikuar pagesat e bëra por duke vënë në dukje se problemi është i mbartuar nga vitet e kaluara.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: