TIRANE – Ndërsa vetëm pak ditë më parë largoi nga puna 234 punonjës, OSHEE u ka bërë dje thirrje të interesuarve për të aplikuar për punësim pranë saj. Vendet vakante u bënë dje publike nga Administratori i Përgjithshëm i OSHEE, Adrian Çela, i cili ftoi të gjithë specialistët e këtij sektori për t’u punësuar në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. “Jam sot përpara jush për të njoftuar se kemi filluar shpalljen e vendeve vakante të pozicioneve të ndryshme pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. U bëj thirrje të gjithë inxhinierëve, elektricistëve, specialistëve të mesëm e të lartë në fushën e energjisë elektrike të aplikojnë për t’u bërë pjesë e strukturave të OSHEE”, tha Çela.
Portali
Kreu i Operatorit të Shpërndarjes shpjegoi gjithashtu, se për këtë qëllim do të vihet në dispozicion një portal i posaçëm. “Për këtë qëllim, ne kemi vënë në funksion një portal special online, përmes të cilit mund të bëhen aplikimet. Për çdo vend vakant kemi publikuar specifikimin e përshkrimit të detyrës që ofrohet dhe zonën. Çdokush që është i interesuar të jetë pjesë e ekipit të OSHEE, i përkushtuar, i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka pozicioni të aplikojë përmes faqes zyrtare www.oshee.al (aplikimi kërkon si hap të parë regjistrimin online te zyrat e punës). Çela bëri gjithashtu me dije se institucioni ka ngritur komisionet e rekrutimit, të cilët do të administrojnë CV-të që do të ngarkohen në faqen e internetit nga aplikantët.
Procedurat për të aplikuar janë të qarta, të shpallura në faqen e internetit. “Theksoj edhe një herë që në OSHEE do të gjejnë vend për të punuar vetëm ata që janë të bindur për misionin tonë të reformës kundër abuzimeve, vjedhjes së energjisë dhe të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore”, tha Çela.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: