TIRANE- Këshilli Mbikëqyrës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka vendosur të krijojë lehtësira për debitorët e energjisë. Sipas këtij vendimi të gjithë konsumatorëve familjarë, të cilët rezultojnë debitorë për detyrimet e energjisë u krijohet mundësia e ekzekutimit me këste të këtij detyrimi. Nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për pagesën me këste të detyrimeve, OSHEE nuk do të llogarisë më kamatë vonesa për periudhën kohore që parashikohet në marrëveshje për ekzekutimin e plotë të detyrimit.

Vlera e vendosur nga Këshilli Mbikëqyrës për këstin mujor nuk do të jetë më e vogël se 2500 lekë, ndërsa për abonentët që janë në skemën e ndihmës ekonomike nuk do të jetë më e vogël se 1000 lekë në muaj. Një lajm i mirë vjen për ata që do të shlyejnë detyrimet e prapambetura me gjithë kamatëvonesë, pasi nëse paguajnë njëherazi të gjithë shumën e debisë, OSHEE do tu zbresë 80% të kamatëvonesave.

VENDIMI I KËSHILLIT MBIKËQYRËS TË OSHEE
Në mbledhjen e tij të datës 26.11.2014, Këshilli Mbikëqyrës i OSHEE-së mori në shqyrtim propozimin e ardhur nga Shoqëria OSHEE sh.a, lidhur me kushtet lehtësuese që do të zbatohen ndaj konsumatorëve familjarë të cilët ekzekutojnë detyrimet e prapambetura nga vitet e kaluara.
Duke shqyrtuar me kujdes këtë propozim, duke marrë në konsideratë nivelin e të ardhurave mesatare të familjeve shqiptare dhe gjendjen e tyre sociale, Këshilli vendosi sa më poshtë:
1. Të gjithë konsumatorëve familjarë, të cilët rezultojnë debitorë për detyrimet e energjisë (principal dhe kamatë vonesë), u krijohet mundësia e ekzekutimit me këste të këtij detyrimi.
2. Nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për pagesën me këste të detyrimeve, Shoqëria nuk do të llogarisë më kamatë vonesa për periudhën kohore që parashikohet në marrëveshje për ekzekutimin e plotë të detyrimit.
3. Shoqëria do të marrë masa që të përcaktojë si kusht në marrëveshje detyrimin e konsumatorëve familjarë, që brenda afateve kontraktore të shlyejnë faturën korrente të energjisë dhe një vlerë përkatëse që i korrespondon një pjese të detyrimit të prapambetur. Vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria, por në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se 2.500 lekë në muaj.
4. Përjashtimisht, për familjet e kategorizuara në sistemin e ndihmës ekonomike, vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria por në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se 1,000 lekë në muaj.
5. Për konsumatorët familjarë, që kanë detyrime të prapambetura të energjisë elektrike, të cilët bien dakord të shlyejnë menjëherë të gjithë detyrimin e prapambetur (principal +kamatë vonesë), Shoqëria OSHEE sh.a do të aplikojë një zbritje të vlerës së detyrimit të kamatë vonesave në nivelin prej 80%. Ky kriter do të aplikohet edhe në rastet kur detyrimi i prapambetur përfaqësohet vetëm nga kamatëvonesa. Kjo mundësi pagese do të jetë e vlefshme deri në datën 1 Mars 2015.
6. Kushtet e mësipërme nuk do të aplikohen nëse konsumatorët familjarë, nuk respektojnë detyrimet sipas marrëveshjes së nënshkruar me Shoqërinë OSHEE sh.a. Në këtë rast, ndaj këtyre konsumatorëve do të aplikohen detyrimet e parashikuara në kontratën e furnizimit, përfshirë edhe përllogaritjen e kamatë vonesës.
Ky vendim hyn në fuqi në datën 01.12.2014.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb