TIRANË- Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike raporton mbi situatën e furnizimit me energji në vend. OSHEE bën me dije se në zonat e përmbytura ëshrtë e pamundur që të ndërhyhet, veccanarisht në zonat ku kabinat elektrike janë nën ujë. Për këtë arsye në zonat e përmbytura është stakuar energjia elektrike deri në përmirësimin e situatës. Ndërsa në zona e tjera OSHEE po punon, Në Tiranë është rikthyer energjia tek Komuna e Parisit dhe tek Stadiumi Dinamo, ndëersa po punohet për rikthimin e energjisë në zonën e Paskuqanit, Babrrusë dhe Kudrës së Kuqe.

OSHEE është duke ndjekur me kujdes dhe përparësi situatën e krijuar në rang vendi, sidomos në jug të saj, ku për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe dëbore, disa kabina, linja dhe shtylla janë dëmtuar.

Mbi bazën e raportimeve të Shtabeve Rajonale u hartua me shpejtësi lista e bazës materiale të nevojshme për eliminimin e defekteve dhe u morën masa për shpërndarjen e saj. Deri më tani janë mbuluar pothuajse të gjithë defektet, janë marrë masa dhe është siguruar furnizimi me energji elektrike i të gjithë hidrovoreve dhe stacioneve te pompimit

Pavarësisht përmbytjeve në disa zona dhe vështirësisë që paraqet lagështira në rregullimin e defektit në rrjetit elektrik, OSHEE ka marrë të gjitha masat që hidrovoret të furnizohen me energji. Dy hidrovorët më problematik, ai i Akernis që del nga n/stacioni Mifolit dhe hidrovori në Radhimë (Vlorë), janë rregulluar sot paradite, dhe situata është normalizuar.

OSHEE thekson se në zonat ku ka përmbytje nga reshjet e shiut, kompania është e detyruar të stakojë furnizimin me energji elektrike, për efekt sigurie të banorëve, dhe e ka të pamundur të ndërhyjë, sidomos te kabinat që janë nën ujë.

Gjatë ditës së sotme ka patur probleme në n/stacionin Xhuherinë, për shkak të djegies së transformatorit, duke lënë pa energji elektrike komunat Llakatund dhe Qendër, në rrethin e Vlorës. Defekt ka patur edhe në linjën Babicë-Smokthinë-Kuç-Himarë, duke lënë pa energji komunat Brataj, Vranisht, fshatrat Dhërmi, Livadhe, Jalë dhe Qeparo. Pas një pune intensive të grupeve të punës të OSHEE, është rikthyer energjia në këto zona.

Problem mbetet në rajonin Vlorë stacioni i pompimit i Ujësjellësit Selenicë (aset i vet ujësjellësit), nga OSHEE janë dërguar materialet e kërkuara nga ana e tyre për ndihmë. Në komunën Dermenas (Hoxharë) të rrethit Fier kemi një kabinë jashtë pune nga përmbytjet.

Gjithashtu, si pasojë e reshjeve të dendura të borës në zonën e Juglindjes, janë këputur përcjellës dhe janë rrëzuar shtylla të disa linjave të cilat kanë shkaktuar dhe problem me furnizimin me energji elektrike. Menjëherë në terren kanë mbërritur grupet e punës të ngritura pranë drejtorive rajonale të OSHEE për riparimin e defekteve dhe përballimin e situatës së krijuar. Pas një pune intensive, është rikthyer energjia në zonën e Voskopojës dhe një pjese të Bilishtit.

Në zonën e Gjirokastrës janë pa energji elektrike fshatrat Krinë, Tranushishtë dhe Saraqishtë, për shkak të defekteve në linjat e tensionit të ulët. I gjithë personeli teknik është në gatishmëri, por është vështirësuar shumë riparimi i defekteve pasi kanë filluar reshje të dendura të borës.

Në Tiranë, prej disa orësh mungoi energjia elektrike në zonën pranë kompleksit Dinamo dhe në Komunën e Parisit, për shkak të dëmtimit të linjës të tensionit të mesëm, të fidrit 330.

OSHEE garanton abonentët se është në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në zgjidhjen e defekteve që po shkaktohen nga forcat e natyrës, ndikuar edhe nga rrjeti i amortizuar, ku gati 80% i tij është mbi 35-vjeçar.
(a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb