NGA KLODIANA LALA*

TIRANË- “Telashet” për biznesmenin Kastriot Ismailaj, duket se sa vijnë e shtohen. Në kohën kur administratori i kompanisë ‘Debt International Advisory’ (DIA) ndodhet në qeli, pasi dyshohet se krijoi një skemë mashtruese që lidhej me vjeljen e borxheve të CEZ, duke përfituar në këtë mënyrë miliona, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, është duke përgatitur një padi civile që do ta paraqesë në nisje të procesit penal ndaj Ismailajt. Përmes kësaj padie civile, OSHEE kërkon që Ismailaj të kthejë shumën prej më shumë se 4.8 milionë euro, që ka zhvatur gjatë kohës që ka vjelë borxhet e kompanisë ceke.

Lajmi pohohet nga burime të besuara brenda OSHEE, të cilat saktësuan se janë ngarkuar dy juristë që po merren me përgatitjen e dosjes, ndonëse do të duhet të presin derisa prokuroria ta dorëzojë në gjykatë dosjen ndaj biznesmenit dhe vetëm në nisje të procesit mund ta depozitojnë padinë e tyre si padi brenda procesit penal. Nga hetimet e prokurorisë rezulton deri më tani, se shuma në fjalë, është përvetësuar përmes një skeme mashtruese nga Ismailaj dhe paratë janë transferuar drejt vendeve që konsiderohen si parajsa fiskale.

Hetimet ndaj Ismailajt dhe DIA kompania e kontraktuar për mbledhjen e borxhit të kompanisë çeke CEZ, janë në valën e tyre dhe shumë shpejt pritet që prokuroria të dërgojë çështjen në gjyq. Përgjatë kohës që Ismailaj ndodhet në qeli, nuk ka pranuar të japë shpjegime për prokuroren e çështjes Antoneta Sevdari, por në dosje ndodhet vetëm një deklarim i bërë nga biznesmeni kur ishte person nën hetim.
‘ZHVATAJA’ E PARAVE
Ismailaj që njihet për njohjet dhe lidhjet e fuqishme në politikë, kishte themeluar kompaninë “Debt International Advisory” (DIA). Kjo kompani u kontraktua për vjeljen e borxheve të kompanisë CEZ. Sipas prokuro-risë, ai ka përfituar në mënyrë të paligjshme -përmes një skeme mashtruese. Ismailaj pretendonte se për shpenzimet operative i nevojitej një shumë prej afro 500 mijë euro, që duhet t’i paguheshin nga kompania CEZ për llogari të DIA. Këto para konsideroheshin nga Ismailaj si tarifë fikse mujore. Në bashkëpunim me drejtues të lartë të CEZ dyshohet se Ismailaj ka paraqitur fatura për shërbime që në fakt nuk janë kryer dhe rezultonin fiktive. Përmes këtyre faturave fiktive, ai justifikonte kalimin e shumës së majme nga kompania CEZ te DIA, që në fakt i pretendonte si identifikim debitorësh dhe pagesa për shpenzimet operative.
HETIMET
Njësia Task-Forcë është duke e hetuar Ismailajn për pastrim parash, të kryer në bashkëpunim me ish-kreun e bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek. Me shumë gjasë, Hajsek, do t’i shpëtojë akuzës zyrtare, pasi në marrëveshjen mes kompanisë ceke CEZ dhe qeverisë shqiptare ka një nen favorizues për të parët. Pas disa hetimesh, prokurorja Antoneta Sevdari iu drejtua Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për sekuestrimin e kompanive të Ismailajt dhe llogarive bankare të tij.

Kështu, në një seancë sekrete të mbajtur më datë 16 shtator 2014, gjykatësi Altin Shkurti, firmosi për pranimin e kërkesës së prokurorisë. Konkretisht në vendim thuhet se “shoqërisë “Adriatic Development Corporation LTD” në periudhën 2006-mars 2008 në bankën xxx (sot xxx) kishte përfituar transferta në mbërritje në shumën totale 4.598.501 USD dhe 800.000 EUR. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve ishte dërguar nga shoqëria “Hassans Client2ACC”, me adresë “57/63 Line Woll Road, NewYork, USA”, në shumën totale 4.526.228 USD dhe 800.000 EUR. Përveç dërguesit të mësipërm transfertat ishin dërguar edhe nga United Recouces Ag, ST. Gallerstrasse 19, Zvicer dhe DOMINICUS Ag, ST. Gallerstrasse 19, po në Zvicër.

Një pjesë të fondeve të përfituara në emër të shoqërisë “Adriatic Development Corporation Ltd”, në një total prej 2.994.376 USD, Kastriot Ismailaj i kishte transferuar të strukturuara në shuma të ndryshme, ku si përfitues ishin kompani dhe persona të ndryshëm në shtete të ndryshme të njohura si parajsa fiskale”. Mandej theksohet se, “Nga informacioni paraprak rezulton se përshkrimet në këto transferta ishin të ndryshme si: Pagesa për studime fizibiliteti në projekte minierash; për shërbime ligjore; për shpenzime zyre; për konsulencë; për shpenzime udhëtimi, pagesa për numra telefonash, etj. Drejtoria e Policisë e Qarkut Tiranë disponon informacione të marra në rruge operative se të ardhurat për shoqëritë në emër të Kastriot Ismailaj janë zero”.
KONFISKIMI
Gjykata e Krimeve të Rënda ka konfiskuar llogaritë bankare të biznesmenit Kastriot Ismailaj, pasi rezulton nga hetimet se ai nuk arrin të justifikojë burimin e të ardhurave. Aktualisht pro-kuroria ka kërkuar në gjykatë konfiskimin e këtyre llogarive. “Ne rrethanat e deritanishme dhe nga verifikimet pasurore të kryera nga ana e prokurorisë rezulton se shtetasi Kastriot Ismailaj nuk justifikon dot zotërimin e këtyre llogarive, si dhe burimin e ligjshëm të këtyre llogarive”, thuhet nën dosje.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb