Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës Vjosa Osmani ka folur sot rreth mundësisë së shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta në Tiranë, Vjosa Osmani ka shprehur bindjen se kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa nuk dëshiron që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Madje, ajo u shpreh për mbajtjen së më të shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme, duke aluduar se kjo do të jetë pozitive edhe për iniciativën e saj politike, themelimin e së cilës e kishte paralajmëruar më herët, pas largimit nga LDK për shkak të qëndrimeve të kundërta.
“Nuk e besoj që Mustafa është i interesuar të shkojë në zgjedhje. Ka kohë që nuk e dëgjoj Mustafën, sepse jam e zënë me sfidat në institucionet tona që janë edhe për faj të tij. Çfarë dua të them është se sa më shpejt të mbahen zgjedhjet, aq më mirë për iniciativën që do të drejtoj”, është shprehur Osmani.
“Do të shihet nëse forcat politike aktuale do të kenë mundësi të zgjedhin një president të ri, apo vendi do të shkojë në zgjedhje”, ka thënë thënë ajo nga Tirana në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.
Sipas saj, shkuarja në zgjedhje nuk dëmton Kosovën, por i ndihmon zhvillimit të demokracisë.
“Në këtë rast edhe mund të prodhojnë institucione më të forta sa u përket proceseve dhe sfidave që po na presin përpara”, ka deklaruar ajo.
Osmani, që është edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, ka konsideruar se përmes zgjedhjeve ka mundësi që të tejkalohen disa vështirësi, për dallim nga legjislatura aktuale që nuk po mundet ta bëjë një gjë të tillë, për shkak të mungesës së shumicës parlamentare.
“Nuk mund të lejojmë që të vazhdohet me bllokada të tilla në kohën kur po përballemi me pandeminë dhe me të gjitha pasojat e pandemisë, që përfshijnë edhe çështjet ekonomike, që sot janë sfidë e secilës familje në Kosovë”.
Ajo ka treguar se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë me një listë të pavarur, dhe jo në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës.