Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar përvjetorin e 26-të të masakrës së Pastasellës në Rahovec dhe asaj në Burim të Malishevës, duke theksuar se Kosova do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për viktimat e këtyre tragjedive gjatë luftës së fundit.

Ajo ka përkujtuar se një çerek shekulli më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë kryen krime të rënda kundër civilëve në Kosovë. Në vitin 1999, 106 persona, përfshirë burra, gra dhe fëmijë, u vranë dhe u masakruan pa mëshirë në Pastaselë të Rahovecit.

Një tjetër valë dhune ndodhi në Burim të Malishevës, ku 42 civilë të pafajshëm u ekzekutuan po ashtu pa asnjë ngurrim. Presidentja Osmani ka theksuar se kujtesa për këto ngjarje nuk do të shuhet dhe se historia e këtyre krimeve nuk mund të harrohet.

Ajo ka shprehur angazhimin dhe vendosmërinë e Kosovës për të mbrojtur të vërtetën dhe për të kërkuar drejtësi për viktimat e këtij gjenocidi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: