Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të takojë sot krerët e partive politike parlamentare për të diskutuar lidhur me caktimin e datës të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Takimi do të nisë në orën 14:00 dhe pas tij është paralajmëruar konferencë për media nga presidentja, Vjosa Osmani. Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme, atëherë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje. Sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, në bazë të afateve ligjore, presidentja Osmani aktualisht ka katër data për mbajtjen e zgjedhjeve: votimet mund të mbahen më së afërmi më 26 janar dhe më së voni më më 16 shkurt të vitit 2025. Cakolli tha se sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, mandati i Kuvendit të përfundojë 30 ditë para periudhës 4-vjeçare prej konstituimit të tij. “Rrjedhimisht, presidentja ka një afat që sipas ligjit përcaktohet të jetë jo më herët se 60 dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit që nënkupton se presidentja aktualisht ka vetëm katër data që mund t’ua ofrojë subjekteve politike si data kur mund të ketë zgjedhje të rregullta”, tha Cakolli.

“Këto përfshijnë 26 janarin, 2, 9 dhe 16 shkurtin. Pra, këto janë datat e vetme kur në Kosovë mund të ketë zgjedhje të rregullta parlamentare derisa çdo datë jashtë këtyre, respektivisht më herët se këto paraqesin zgjedhje të parakohshme”, shtoi ai. Cakolli tha se presidentja ka afat deri në mesin e muajit tetor që të caktojë një datë për mbajtjen e zgjedhjeve, por duke pasur parasysh reformën zgjedhore, ajo mund të dojë që data të caktohet më herët, në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë më shumë kohë që t’i përgatisë votimet.

Po ashtu, sipas tij, nuk është në interesin e asnjërit subjekt politik që zgjedhjet të mbahen në janar apo shkurt, kur moti është i ftohtë dhe ditët janë më të shkurta. “Prandaj edhe mund të gjendet ndonjë modalitet për t’i mbajtur zgjedhjet edhe më herët, por kjo varet kryekëput nga arritja e një dakordimi”, tha Cakolli. Në fund të majit dështoi një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: