NGA OLA MITRE
Osteoporoza prek 1 në 3 gra dhe 1 në 5 meshkuj, ndërkohë që ndërgjegjësimi për parandalimin e kësaj sëmundjeje duhet të fillojë që në fëmijëri”. Deklarata vjen nga mjekja, njëkohësisht specialiste e Institutit të Shëndetit Publik, Lumturi Mërkuri, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, shpjegon gjithçka rreth së-mundjes dhe masave parandaluese për të.

Doktoreshë, çfarë është osteoporoza?
Osteoporoza ose kocka poroze, është një sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës dhe kualiteti i saj reduktohet gradualisht. Gjatë osteoporozës kocka bëhet më poroze dhe më e thyeshme. Humbja e masës kockore ndodh në mënyrë të heshtur dhe progresivisht, shpesh pa simptoma derisa ndodh fraktura e parë dhe në shumë raste është ajo e cila evidenton osteoporozën. Frakturat mund të ndodhin pas një rënieje fare të vogël apo dhe si rezultat i një veprimi të zakonshëm të përditshëm. Frakturat zakonisht ndodhin në krah, dorë, shpinë, këllk dhe legen. Frakturat më të shpeshta dhe më serioze janë ato të legenit dhe të shpinës. Kockat e thyera shkaktojnë dhimbje të forta, palëvizshmëri dhe paaftësi afatgjatë: rezultati është cilësia e dobët e jetës dhe humbja e pavarësisë për të kryer aktivitetet e përditshme në mënyrë të pavarur.

Sa e shpeshtë është osteoporoza?
Aktualisht është vlerësuar se mbi 200 milionë njerëz në të gjithë botën vuajnë nga kjo sëmundje, e cila është përgjegjëse për shumicën e frakturave në njerëzit mbi 50 vjeç. Në të gjithë botën, 1 në 3 gra dhe 1 në 5 meshkuj mbi 50 vjeç do të vuajnë një frakturë nga osteoporoza.
Kush mund të preket nga kjo sëmundje?
Keqkuptimi më i zakonshëm është se osteoporoza prek vetëm femrat. Është e vërtetë se gratë në menopauzë janë më në risk për osteoporozë, prandaj shpesh osteoporoza mendohet si sëmundje e femrave. Por ajo prek miliona meshkuj anembanë botës, me pasoja shkatërruese. Rreziku i frakturave tek meshkujt është më i madh se rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës. Frakturat janë më të pakta tek meshkujt, por kur ato ndodhin kanë një nivel më të lartë paaftësie e vdekshmërie sesa tek femrat. Meshkujt kanë më shumë gjasa sesa femrat të vuajnë nga pasoja të rënda ose vdekje nga osteoporoza.
A ka faktorë që shtojnë riskun për osteoporozë?
Disa faktorë duket se shtojnë riskun për osteoporozë si gjinia apo mosha, që nuk mund të ndryshohen. Ndërsa faktorë të tjerë (pirja e duhanit, alkoolit, dieta e mangët me kalcium dhe vitaminë D, mungesa e aktivitetit fizik etj.) janë të lidhur me stilin e jetesës dhe mund të modifikohen.
Cilat janë shenjat e kësaj sëmundjeje?
Duke qenë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhimbshme, nuk ka simptoma të dukshme që të tregojnë që një person është duke zhvilluar osteoporozën. Për këtë arsye osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”. Megjithatë disa shenja, si dhimbja e lehtë, reduktim të gjatësisë trupore me disa centimetra apo fraktura mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Shpesh shenja e parë e osteoporozës është fraktura apo thyerja e kockës.
Çfarë testesh dhe analizash bëhen për zbulimin e saj?
Për vendosjen e diagnozës rekomandohet kryerja e testit të matjes së densitetit kockor. Një numër testesh të ndryshme për matjen e densitetit kockor janë në dispozicion, ndër të cilat DXA (Dual X- ray energy Absorptiometry). DXA është një rrezatim me doza të ulëta me rreze X, i cili është në gjendje të zbulojë edhe një nivel mjaft të ulët të humbjes së masës kockore. Të gjithë individët mbi 50 vjeç, veçanërisht gratë në menopauzë, të cilët kanë një nga faktorët e riskut, duhet të bëjnë matjen e densitetit kockor. Megjithatë, nëse dikush ka faktorë risku për osteoporozë duhet të shkojë tek mjeku, i cili sugjeron bërjen e testeve specifike dhe trajtimin e nevojshëm nëse është e mundur.
Si mund të parandalohet osteoporoza?
Pas moshës 20 vjeç hollimi i kockave është një proces natyral, i cili nuk mund të ndalet plotësisht. Masa kockore e fituar gjatë rinisë është një përcaktues i rëndësishëm i rrezikut të osteoporozës gjatë jetës së mëvonshme. Prandaj ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë qysh herët, në moshë të re, me qëllim që të ndërmerren masa për ta parandaluar atë. Fëmijët duhen ndihmuar të kuptojnë rëndësinë e ndërtimit të masës kockore, qysh kur janë të rinj. Ata duhen inkurajuar dhe edukuar të kenë një dietë të ekuilibruar, të pasur me kalcium, vitaminë D dhe proteina, për rëndësinë e peshës normale, të ushtrimeve fizike, efektet e pirjes së duhanit dhe alkoolit mbi kockat etj. Marrja e kalciumit në sasi të mjaftueshme – sasia e kalciumit që duhet të konsumojmë ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Kërkesat për kalcium janë të larta në vitet e adoleshencës për shkak të rritjes së shpejtë të skeletit. Me kalimin e moshës, aftësia e trupit për të absorbuar kalcium, bie dhe kjo është një nga arsyet pse edhe të moshuarit kanë nevojë për sasi më të larta kalciumi. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi dhe produktet e tij, perimet jeshile si: brokoli, lakra jeshile etj., disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë, peshku i konservuar, sardelet, arrat, bajamet, drithërat, lëngje frutash, uji mineral. Vitamina D është gjithashtu esenciale për absorbimin e kalciumit. Ekspozimi për 15 min në ditë në diell i duarve, krahëve dhe fytyrës, është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve. Vitamina D mund të sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementët. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçitë, cerealet etj.
Cilat janë trajtimet në dispozicion për osteoporozën?
Në varësi nga rezultatet e testit të densitetit kockor, mjeku mund të japë medikamente dhe suplementë për të parandaluar humbjen e masës kockore. Ka një numër opsionesh trajtimi efektiv të cilat kanë treguar se veprojnë për të ruajtur densitetin kockor dhe për të reduktuar rrezikun e thyerjeve. Një mjekim i përshtatshëm i kombinuar me ndryshime të stilit të jetesës mund të shmangë shumë nga frakturat. Trajtimi i osteoporozës është efektiv vetëm nëse merret ashtu siç rekomandohet nga mjeku.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb