KOSOVE

Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së përmes një reagimi, ka shprehur shqetësimin në lidhje me rastin e veteranit Sabit Geci.

OVL e UCK thotë se lirimi i Gecit nga burgu është vendimi i duhur, duke vënë në dukje se ai është dhunuar në burgje, duke e akuzuar për krime lufte, që sipas organizatës nuk i ka kryer.

Reagimi i plotë i UCK OVL:

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, është e shqetësuar për rastin e veteranit-invalidit të luftës z. Sabit Geci, i cili është maltretuar kohë të gjatë, duke u mbajtur padrejtësisht nëpër burgje, për shkak të gjykimeve “për krime lufte” që për ne ishin dhe janë procese të montuara politike.

Duke e ditur gjendjen shëndetësore të z. Geci, i cili përballet me sëmundje të rënda, sëmundje të cilat janë edhe me diagnoza të njëjta nga ana e mjekëve të UNMIK, EULEX, Turqisë dhe Kosovës, neve na ka ardhur mirë që drejtësia e liroi gjashtë muaj për shkaqe shëndetësore.

Lidhur me këtë lirim, jemi habitur me reagimin e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, z. Philip Kosnett dhe pyesim se a ka të drejtë të përzihet në drejtësi, dhe pse nuk reagon për mosgjykimin e serbëve, të cilët kanë bërë dhunime, djegie, shkatërrime dhe krime deri në gjenocid.

Duke pasur parasysh që EULEX nuk ka më mandat për këto gjëra, pyesim: A kaq e paaftë është Prokuroria Speciale e Kosovës, që të dërgoi kërkesë në EULEX, për zbutje të dënimit të z. Geci, kur e di që kjo gjë në kompetencë të kujt është.

Për fund: Ne mendojmë se vendorët dhe ndërkombëtarët kënaqen vetëm atëherë kur Sabit Geci është i vdekur.

 (d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb