Deri tani gjithçka ka shkuar në mënyrën më të mirë për Teutën. Sezonin e fundit e mbylli me një trofe, ndërsa edhe i riu nisi në të njëjtën mënyrë. Por, pasi kaloi raundin e parë në Ligën e Europës, skuadra durrsake kërkon të vazhdojë aventurën europiane. Përballë është Granada, një skuadër më e fortë në letër, por jo e pakalueshme.
“Është një ndeshje historike. Luajmë përballë një kundërshtari të vështirë. Por e rëndësishme është të jemi të përqëndruar. Në ndeshje teke gabimet vendosin shumë”, ka thënë Martini. Do të luhet në fushë, por trajneri shkodran e di mirë që një sfidë e rëndësishme është ajo në mëndjen e secilit futbollist. Tekniku është i bindur gjithashtu edhe për një tjetër gjë. “I rëndësishëm është aspekti psikologjik, por kjo skuadër e ka treguar me ndeshjet dhe trofetë e fituar se nuk dorëzohet. Sido që të shkojë, këta djem e kanë shkruajtur emrin në historinë e Teutës”, ka vijuar Martini.
(balkanweb)