Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres akuzoi Izraelin të hënën për përhapjen e dezinformatave rreth tij gjatë luftës më shumë se tetë mujore midis Izraelit dhe militantëve palestinezë Hamas në Rripin e Gazës.

“Kam dëgjuar të njëjtin burim shumë herë duke thënë se nuk e kam sulmuar kurrë Hamasin, se kurrë nuk e kam dënuar Hamasin, se jam mbështetës i Hamasit”, tha Guterres në një konferencë shtypi mbi integritetin e informacionit, pa përmendur emrin e Izraelit.

“Unë e kam dënuar Hamasin 102 herë, 51 prej tyre në fjalime zyrtare, të tjerat në platforma të ndryshme sociale,” tha ai. “E vërteta, në fund, fiton gjithmonë.”

Ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan tha se dënimet nga Guterres ishin “fjalë boshe në krahasim me veprimet e tij”.

“Qëllimi i tij i vetëm ka qenë të ndihmojë Hamasin të mbijetojë këtë luftë. Ne e shohim të neveritshme që Sekretari i Përgjithshëm refuzon të respektojë standardet e OKB-së dhe paraqet një pamje të shtrembëruar të ngjarjeve në terren,” tha Erdan. “Antonio Guterres është bashkëpunëtor i terrorit dhe duhet të japë dorëheqjen sot”.

Marrëdhëniet midis OKB-së dhe Izraelit kanë qenë prej kohësh të tensionuara dhe janë përkeqësuar vetëm gjatë luftës Izrael-Hamas.

Izraeli akuzoi OKB-në se ishte e njëanshme kundër saj dhe ka akuzuar stafin e OKB-së për bashkëpunim me Hamasin dhe militantë të tjerë. OKB-ja po heton disa nga akuzat, por ka thënë se në shumë raste ende nuk ka marrë prova nga Izraeli.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb