Janë 10 shtetas nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti që mbërritën në Portin e Shëngjinit mëngjesin e sotëm në kuadër të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.
Në Portin e Shëngjinit janë mbledhur njerëz të shumtë, qytetarë, media, forca policie italiane etj. Gazetari Renaldo Salianji raportoi nga Shëngjini se emigrantët do të qëndrojnë në qendrën pritëse brenda në Portin e Shëngjinit për disa orë, ku do të ndërrohen dhe marrin shërbimet e para, përfshirë ato mjekësore, e më pas do të transportohen në kampin e Gjadrit.
“Emigrantët që do të kapen në det të hapur do të shkojnë menjëherë në kampe, pra një procedurë e përshpejtuar. Anija e marinës italiane Libra në momentin që sheh emigrantë, i merr në bord dhe i sjell në brigjet shqiptare. Emigrantët nuk prekin në tokën italiane, por destinacioni i parë është porti i Shëngjinit dhe më pas kampi i Gjadrit”, raportoi Salianji.
Qendra pritëse brenda portit është e rrethuar nga një gardh i madh dhe e mbrojtur nga forcat e autoriteteve italiane. Po kështu brenda qendrës janë zyrtarë italianë ata që kryejnë procedurat e azilit.