Nga: XHEVAT MUSTAFA*


Për të qenë të saktë, juridikisht dhe formalisht i kemi dhe i paguajmë tmerrësisht shtrenjtë të dyja. Por, në të vërtetë ka kohë që bien kambanat e paralajmërimeve, të njoftimeve dhe konfirmimeve se në Shqipëri ‘de facto’ nuk ka as qeveri dhe as opozitë. Faktet për të argumentuar këtë realitet tronditës, shpresë e besim-vrasës për shumicën e qytetarëve të thjeshtë, janë të shumta e lehtësisht të gjetshme. Qytetarët e thjeshtë i përjetojnë gjatë 24 orëve, edhe kur janë me sytë hapur, edhe kur bëjnë pak orë gjumë, që më shumë i torturon sesa çlodh. Atyre u janë bërë si rrobat e trupit apo si uji që pinë e si buka që hanë, të cilëve nuk ua dinë as origjinën dhe kohën e prodhimit dhe as shkallën e ndotjes, të mykëzimit apo helmëzimit. Ndërsa qeveritarët e zyrtarët e tjerë të lartë, deputetët edhe me status bosi në biznese, bëjnë të verbrin dhe të shurdhrin apo inskenime estradeske ndjeshmërie e reagimesh ndaj jetës së ferrshme që bëjnë shumica e zgjedhësve dhe financuesve të tyre.
Pa qeveri
Natyrisht, kryeministri Edi Rama ka të drejtë formale të shprehet kundër, duke u kapur tek 1 milion votuesit e 23 qershorit 2013. Pa i hyrë analizës se cilat ishin me zemër e bindje e cilat të blera, në fund të fundit, votat e tyre, i përmbushën ëndrrën dhe dëshirën afro 15-vjeçare dhe e bënë Njëshin e qeverisë së Shqipërisë. Gjithashtu, kryeministri mund të kapet edhe tek aktet ligjore që shpallin juridikisht, financiarisht dhe publikisht krijimin e qeverisë së tij; strukturën e saj ministrore; vendimet, masat, reformat, tenderat e saj; kalendarin e mbledhjeve; vizitat dhe takimet në vend e nëpër botë…Për t’i dhënë Çezarit ç’është e Çezarit, qeveria “Rama” ka të drejtë të mburret për gjallesë e suksese në disa aksione apo veprime të saj. Fjala është për goditjet e saj policore e ligjore në Lazarat dhe të disa grupeve trafikantësh të drogave; për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme elektrike dhe të traditës shumëvjeçare për mospagimin e energjisë mujore të konsumuar nga jo pak familje, biznese dhe institucione; për shembjen e shumë ndërtimeve të paligjshme; për kufizimin e ndjeshëm të numrit të së ashtuquajturave universiteteve private dhe të biznesit të tyre me shitje diplomash… E megjithatë, ecuria e këtyre 18 muajve të parë ka treguar se Shqipëria është një vend juridikisht e formalisht me qeveri dhe ‘de facto’, për nga punët, frytet apo rezultatet pa qeveri. Fjala është për qeverisje të standardeve të përparuara, konstruktive, të efektshme jo vetëm në ekrane e fasada, në statistikat zyrtare apo proqeveritare, por në kuletat, xhepat, raftet, frigoriferët, tryezat e ngrënies, depozitat bankare të shumicës së qytetarëve. Shkaqet dhe arsyet se përse qeveria “Rama” ka qenë fare pak e dobishme dhe e ndjeshme për shumicën e qytetarëve janë të shumta, objektive e subjektive. Kryeministri dhe ekipi i tij mund të kenë bërë analiza për t’i gjetur këto. Megjithatë, me dëshirën e mirë si qytetar për ta ndihmuar sadopak, do të rendis disa prej arsyeve, kuptohet, sipas vizionit dhe gjykimit tim subjektiv. Së pari, gjykoj se Edi Rama është viktimë e subjektivizmit, paragjykimeve dhe iluzioneve të tij individuale në përzgjedhjen e ministrave të tij, rreth 18 muaj më parë. Edhe pse shumica e qeverive në botë përbëhen nga ministra rreth 45-65 vjeçarë, Edi Rama e mbushi qeverinë e tij me ministra e ministresha, më së shumti të lindur në vitet ‘70-‘80. Vështruar nga përvoja, ata mund të vlerësoheshin në atë kohë e për disa vjet, ndoshta deri në fund të mandatit të parë, edhe si studentë në artin, shkencën apo praktikën e qeverisjes qendrore. Më 15 shtator 2013, mosha mesatare e skuadrës qeverisëse “Rama” me 21 ministra ishte rreth 43 vjeç. Kjo mesatare ishte 8 vjet më e re se qeveria e Gjermanisë dhe 5-10 vjet më e ulët se e çdo qeverie tjetër në të gjithë Evropën. Qeveria “Merkel”, me gjithsej 16 ministra, nuk kishte asnjë ministër nën moshën 40 vjeç, ndërsa qeveria “Rama” kishte katër. Shifrat e mësipërme japin arsye të mendohet se Merkel, ndryshe nga Edi Rama, kryeministër në një nga vendet më të varfra të Evropës, nuk ia lejoi vetes të eksperimentojë në kohë krize globale, të luante me fatet e vendit e të qytetarëve, duke ua besuar drejtimin e disa dikastereve kryesore 30-40 vjeçarëve apo “adoleshentëve” në politikë e në qeverisjen qendrore. Një arsye tjetër për pandjeshmërinë e qeverisë “Rama” në nivelin e premtuar e të pretenduar vazhdimisht prej saj është përkushtimi i disa prej anëtarëve të ekipit të tij më shumë ndaj bizneseve, përfitimeve dhe lidhjeve personale, familjare e klanore sesa ndaj detyrave qeveritare dhe detyrimeve apo premtimeve para zgjedhësve dhe gjithë qytetarëve. Kryeministri, edhe pse duhej të kishte me kohë dijeni, do të kërkonte emra konkretë, por shumica e qytetarëve nuk kanë nevojë, sepse i njohin mirë, për nga trashëgimia dhe bëmat, paraministrore e të tanishme. Gjithsesi, nuk është e vështirë të identifikohen, sepse, edhe brenda 18 muajve janë vetëzbuluar apo i kanë hequr maskat ministrat apo ministreshat duarlëshuar për falje tenderash e projektesh me miliarda lekë fitime miqve, shokëve, kushërinjve, ortakëve apo bashkëpunëtorëve të tyre në biznese apo OJQ para kohës së ministërllëkut. Gjithnjë sipas gjykimit tim subjektiv, një arsye tjetër e fortë për fatkeqësinë e shumicës së qytetarëve që të ndihen si pa qeveri mund të gjendet tek të ndjerit e të vepruarit e çdo qeveritari individualisht dhe si ekip, mbi PS-në, jashtë kontrollit dhe llogaridhënies para strukturave të saj. Mund të kujtojmë se më 31 tetor 2014 Gramoz Ruçi, sekretari i përgjithshëm i PS-së dhe kryetari i grupit të deputetëve të saj, i ka kritikuar publikisht, në seancën parlamentare të asaj dite, disa ministra se ndihen e veprojnë si të pakontrollueshëm, të pakundërshtueshëm e të pakritikueshëm, sikur të ishin kryeministra, dhe duke u kujtuar se “krimi nuk luftohet me aksione, por përditë”. Fjala ishte për ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ministren e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito. Po kështu, edhe deputeti i PS-së për Shkodrën, Tom Doshi është ankuar publikisht se disa ministra nuk i kanë hapur as celularët, kur ka dashur t’u përcjellë shqetësime edhe të elektoratit të tij, votues të koalicionit PS-LSI. Kam bindjen se PS-në në këta 18 muaj, ashtu si PD-në gjatë mandatit të dytë, 2009-2013, po e merr më qafë, duke e konsumuar me shpejtësi dhe duke kompromentuar në jo pak raste, edhe koalicioni me LSI-në. Tek plot qytetarë dhe analistë ekziston dhe shprehet opinioni se tek një kontingjent masiv zyrtarësh të të tria niveleve me tesera të kësaj partie duket apo lihet të kuptohet se kanë si moto apo mentalitet “pasurimin sa më të madh, brenda një kohe sa më të shkurtër, pa e vrarë mendjen për mënyrat, rrugët apo se kujt ua lënë ‘kopilin’ apo faturën në derë”.
Pa opozitë
Humbja e thellë e koalicionit të djathtë më 23 qershor 2013 mund të përkthehet apo kuptohet edhe si dy dhurata të mëdha të Berishës për të majtën si koalicion dhe Edi Ramën personalisht. Duke mos kufizuar apo duke lejuar konsumimin shumëplanësh të qeverisjes së djathtë, sidomos në mandatin e dytë, duke mbajtur në krah të tij ministra, zyrtarë, deputetë dhe politikanë, që nuk gëzonin reputacion dhe mbështetje në masat e anëtarësisë e të elektoratit të PD-së, si dhe duke futur në listën e kandidatëve të saj jo pak nga ky kontingjent “i djegur” apo “mish i huaj”, Berisha “i fali” koalicionit PS-LSI dhe Edi Ramës e Ilir Metës personalisht pushtetin politik dhe një PD si në gjendje kome. Dobësia apo ndjeshmëria e pakët e opozitës shprehet edhe nga ana statistikore, me përfaqësimin e saj në parlament, pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, me vetëm 46 deputetë. Por e keqja nuk qëndronte vetëm këtu. Pas humbjes së rëndë në këtë betejë zgjedhore PD-ja mbeti për një kohë gjatë në “gjumë letargjik”, pa fuqi dhe aftësi për t’u përballur ndjeshëm me mazhorancën e majtë. Duke qenë në një gjendje të tillë, grupi i deputetëve të PD-së nuk mund ta pengonte grupin parlamentar të PS-së në disa vendime, veprime e mosveprime, që mbartnin ose jepnin qartësisht mesazhe arrogance, prepotence dhe abuzimi me numrin e kartonëve, militantizmi të shumicës së deputetëve të grupit të saj dhe bindjeje të tyre si ushtarë, sidomos ndaj kryeministrit. PD-ja u dëmtua jo pak edhe nga mbetja për një kohë të gjatë me një kryetar ligjor dhe një tjetër faktik. Ky dualizëm, me shumë gjasa i padëshiruar dhe i panxitur nga të dyja palët, pati rrjedhoja negative edhe në aspektin strukturor, duke u reflektuar në degë dhe nëndegë me përplasje, në disa raste edhe të dhunshme, mes kontingjentit-pakicë e në rritje të mbështetësve të kryetarit të ri dhe kontingjentit-shumicë të simpatizantëve të pandryshueshëm apo “fanatikë” të kryetarit historik.
Gjasme apo gjysmë qeveri e opozitë
Duke dashur t’i shmangem rënies në nihilizëm apo për të mos i ngrënë në kandar të dyja partitë kryesore dhe dy koalicionet e tyre, mund të thuhet edhe se gjatë këtyre 18 muajve, pas 15 shtatorit 2013, po përjetojmë një periudhë kur kemi gjasme qeveri dhe gjasme opozitë apo gjysmë qeveri e gjysmë opozitë. Natyrisht, vlerësimi im mund të kundërshtohet nga jo pak qytetarë, sidomos nga “ushtria” e hallexhinjve, të cilët mund të kenë mendimin se niveli i ndjeshmërisë, efektivitetit dhe konstruktivitetit të qeverisë dhe opozitës është edhe më pak se gjysma. Mund të kundërshtohet edhe nga individë në kontingjentin e militantëve të së majtës, Disa prej tyre, edhe pse i dinë shumë mirë shprehjet e popullit “dita e mirë duket qysh në mëngjes” dhe “prit gomar të mbijë bar”, edhe pse jo pak prej tyre si qytetarë mund të qahen me vete apo me njëri-tjetrin se “kemi rënë nga shiu në breshër”, se “ne socialistët dhamë fitoren e frytet më shumë po i hanë e rrëmbejnë LSI-stët”…, përsëri mendojnë e shprehen se 18 muaj janë pak. Nga sa po shprehet e po duket, me ekipet, kapacitetet dhe pazaret e qeverisë e të opozitës, do t’u plotësohet dëshira që qeveria “Rama-Meta” t’i shtyjë, si deri tani, edhe 30 muaj të tjerë. Qofsha i gabuar e mos daltë parandjenja ime, por kam frikë se edhe plot nga këta që kërkojnë të lihet e qetë qeveria deri në fund të mandatit të parë, do të ndihen të zhgënjyer e të penduar që i dhanë kaq shumë kohë e mbështetje e që u shpërblyen prej saj… me harresë premtimesh dhe detyrimesh edhe ndaj atyre që u dhanë me bindje e zemër vota apo miliona në formë sponsorizimesh.
Meqenëse kemi gjysmë apo edhe më pak qeveri e opozitë, mund të shtrohet si mundësi teorike edhe bashkimi i dy gjysmave, për të krijuar një qeveri tamam, nga koalicioni PS-PD. Edhe pse kam qenë dhe jam i bindur se lidershipet dhe ekipet politike në PS e PD i duan secili për vete “thesaret e pushtetit”, këtë alternativë e kam propozuar edhe në opinionin tim me titull “Koalicioni PD-PS, ëndërr dhe… mundësi”, botuar në “Gazeta Shqiptare”, pikërisht ditën e zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Në fund të fundit, jemi në kohë krize e nuk do të jemi të parët. Dihet se e kanë provuar Austria, Gjermania, Greqia, Italia… Nëse ndodh kjo gjë, që tani për tani duket thuajse e pamundur, kuptohet se rolin e opozitës mbetet ta luajë LSI me disa partiçka të tjera. I bëhet mirë mbarë vendit, politikës dhe qeverisjes shqiptare si dhe vetë LSI-së nëse i ndërpritet për disa vite periudha e artë e qenies në pushtet, me pak kartonë deputetësh dhe kolltukë ministrorë, por me përfitime të shumta, të pakontrollueshme e të pallogaritshme.


(d.d/GSH/BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: