TIRANE – Mjeku që denoncoi rastet e alergjive tek punonjësit e kanabisit në Tiranë, ka qëndruar për disa orë në Komisariatin Nr.5, ku është pyetur në lidhje me statusin e tij në “Facebook”, që shkaktoi reagime të shumta.

Burime për “BalkanWeb” bëjnë të ditur se mjeku ka deklaruar në polici se për statusin personal në ‘Facebook’ është ndikuar nga pozita e tij politike, pasi është anëtar i Partisë Lidhja Demokristiane.

Ndërkohë, policia ka kërkuar të marrë edhe deklarimet e pacientes, foton e së cilës e publikoi mjeku në rrjetin social, por rezultoi se ajo nuk banonte në Tiranë.

Mjeku Mhill Gecaj publikoi edhe bisedën me pacienten e tij, e cila i ka rrëfyer se merrej me përpunimin e hashashit në Tiranë. Doktori deklaroi se vendi ku ndodh përpunimi nuk është larg në malësitë e Tiranës, por 3 km në vijë ajrore nga qendra.

“Para dy ditësh me vjen një paciente me një dermatit Alergjik! Duke e pyetur për sëmundjen në anamneze e sipër më thotë ‘punoj në lule’. Çfarë lulesh i thashë?
‘Po në lule o doktor në lule a bar si thonë, si gjithë të tjerët’- tha- nga 12 orë’. ‘Për të nxjerrë bukën e gojës!’ T’ju them të drejtën në fillim nuk e kuptova! ‘Po në përpunim të hashashit o doktor’ tha! Dhe kjo nuk punonte larg jo, në territorin e Bashkisë Tiranë, se mos kujtoni larg në Shëngjergj apo diku larg, jo jo afër 3 km në vijë ajrore nga qendra e Tiranës. Imagjinoni që ky popull e shikon të ardhmen e punësimit veç tek kanabisi e droga! Në vend të punishteve të frutave të prodhimeve bujqësore e blegtorale tek fabrikat apo resortet turistike etj etj!”, shkruan mjeku.

NJOFTIMI I POLICISE
Procedohet në gjendje të lirë një mjek i cili ka publikuar të dhëna të pacientëve në kundërshtim me urdhrin e mjekut dhe detyrën e tij si dhe mosdhënie informacioni. Më datë 03.10.2016, Specialistët e Komisariatit të Policisë nr. 5, proceduan në gjendje të lirë të shtetasin M.G. 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek në qendrën shëndetësore Kamëz. Procedimi i këtij shtetasi ka nisur pasi ka publikuar të dhëna të pacientëve në kundërshtim me urdhrin e mjekut dhe detyrën e tij si dhe nuk ka dhënë informacion tek organet kompetente mbi mjekimin e shtetases F. I..

Sipas deklarimeve te mjekut, pacientja dyshohet të ketë marrë dëmtime gjate kultivimit te bimes narkotike Cannabis Sattiva. Shtetasi M.G., në faqen e tij të “Facebook” ka publikuar rastin e mjekimit duke pretenduar se pacientja ka pësuar efekte anësore nga kultivimi i bimëve narkotike. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se në datë 24.09.2016, rreth orës 18:00, në qendrën shëndetësore Kamëz, është paraqitur dhe ka marrë mjekim, e sëmurë me alergji shtetasja F. I. Po punohet për gjetjen e kësaj shtetaseje dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Materialet proceduriale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb