Nga: AURORA KOROMANI/ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE –Projekti i ri i varrezave murale te varrezat e Sharrës, që në fillim të zbatimit të tij ka shkaktuar edhe problemet e para. Shkak për këtë është bërë një denoncim në polici i familjes me mbiemër Berberi, të cilët kanë pretenduar në kallëzimin e tyre pranë Komisariatit Nr.6, se është zhvarrosur trupi i foshnjës së tyre pa u lajmëruar. Burime policore sqarojnë se kjo familje në 13 shkurt është paraqitur në polici dhe ka denoncuar se është rihapur varri i foshnjës së tyre të varrosur në vitin 1961, por pa dijeninë e tyre. Familja Berberi gjatë denoncimit, veç mosvënies në dijeni, ka pretenduar se varri i foshnjës së tyre është hapur, pasi tek i njëjti varr shërbimi funeral i varrezave të Sharrës ka dashur që të varrosë një person tjetër. Familja që ka bërë denoncimin ka shtuar se kur kanë shkuar te varri i foshnjës së tyre, kanë gjetur eshtrat e tij në një kuti kartoni rreth 10 metra larg nga vendi ku ishin varrosur, por duke mos pasur dijeni për këtë ngjarje, familja Berberi i është drejtuar Komisariatit Nr.6 të Policisë në Kombinat. Burime pranë uniformave blu shtojnë se denoncime të tilla ditët e fundit ka pasur shumë, për shkak të nisjes së projektit të bashkisë për varrezat murale. Të njëjtat burime shtojnë se, duke qenë se familjarët nuk i kanë parë njoftimet e bashkisë, ata drejtohen pranë policisë, duke pretenduar se nuk vihen në dijeni për zhvarrosjen e foshnjave të tyre. Burime policore shtojnë se, edhe në rastin konkret bëhet fjalë për zhvarrosjen e foshnjës për shkak të projektit të varrezave murale, dhe jo për të varrosur një person tjetër në varrin e foshnjës së familjes që ka bërë denoncimin.
VARREZAT MURALE
Për të hedhur dritë mbi atë se çfarë po ndodh te varrezat e Sharrës, në një intervistë për “GSH”, Drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimit Funeral në Bashkinë e Tiranës, Besim Kuka ka sqaruar se zhvarrimi i bebeve po bëhet në zbatim të ligjit, për të hapur vende të reja në varrezat publike të Tiranës, duke i spostuar ato në varrezat murale, dhe se familjet janë njoftuar nga bashkia.
Zoti Kuka, është bërë një denoncim në lidhje me zhvarrosjen e një bebeje pa njoftuar familjarët…
Çdo qytetar ka të drejtë të bëjë denoncim, nuk i ndalon askush. Në lidhje me këtë rast është bërë njoftimi si parashikohet në ligj; është publikuar edhe në hyrje të varrezës, edhe në faqen zyrtare të bashkisë, edhe pranë bashkisë ku dalin njoftimet publike. Ne kemi bërë zhvarrimin e gati 2 mijë bebeve dhe ka vetëm një denoncim. Edhe familjarë të tjerë që nuk janë njoftuar në kohë, kur e kanë mësuar këtë gjë dhe e kanë parë se si janë vendosur, kanë mbetur të kënaqur.
Përse po bëhet zhvarrimi i bebeve?
Në nëntor të vitit që shkoi ka dalë një urdhër i Bashkisë i bazuar në Ligjin për Shërbimin Funeral në Republikën e Shqipërisë (i ndryshuar), ku njoftohet se do bëhet zhvarrimi i bebeve nga 0-1 vjeç të cilat kanë mbi 15 vite që kanë vdekur. Duke u bazuar në këtë urdhër, ne kemi bërë zhvarrimet e duhura. Ndofta nuk janë tamam 2 mijë bebe, por janë 7 parcela në Tufinë dhe tre në Sharrë, që janë liruar nga varrezat e mëparshme. Kjo gjë po bëhet pasi në Tiranë ka mungesë vendesh për varre dhe me ndryshimet ligjore është përcaktuar që, ato varre që janë shumë të vjetra, pas një periudhe të caktuar vendosen në varre murale.
Mbas përfundimit të zhvarrimit të bebeve deri në një vjeç, kush janë kategoritë e tjera të varreve që do të spostohen?
Me varrezat e bebeve mendohet të vijohet deri në muajin qershor, pasi duhet pasur parasysh që në ditët me shi nuk punohet. Veç kësaj, edhe procedurat e hapjes së varrit, dezinfektimi dhe vendosja te varrezat murale duan kohë. Më tej do vijohet me varrezat e tjera, në varësi të vjetërsisë që ato kanë dhe në varësi të udhëzimit që do të dalë nga Bashkia e Tiranës. Por mendohet se do të zhvarrosen të vdekurit gjatë luftës, dhe më tej varrezat 30-40 vjeçare. Kjo është një procedurë që e përdor gjithë bota, sepse hapësirat që mund të përdoren për varre nuk janë të pafundme. Por edhe përzgjedhja e varreve kaq të vjetra bëhet për arsye që dhe ndikimi emocional te familjarët të mos jetë i rëndë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)




Etiketa: