TIRANE – Prokuroria e Tiranës nis hetimet për kallëzimin e nënkryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, Enno Bozdo ndaj ministrit të Financave, Shkëlqim Cani. Këtë javë, materiali kallëzues i dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës është hedhur në short dhe me këtë procedurë i është caktuar një prokurori të njësisë Task Force Antikorrupsion. Burimet nga Prokuroria kanë pohuar se materiali është regjistruar si procedim për veprën penale “shpërdorim detyre” pa shënuar emrin e ndonjë personi që do të hetohet.

Organi i akuzës theksoi se pas verifikimeve paraprake do të vendoset më pas një lidhje me personat përgjegjës nëse gjenden elemente të veprës penale të kallëzuar. Kallëzimi i dorëzuar në Prokurorinë e kryeqytetit bën fjalë për bllokimin e pagesës financiare për dy kompanitë që punojnë për zgjatimin e bulevardit “Zogu i Parë” dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Materiali i padisë ndaj ministrit të Financave, rreth 45 faqe, pas dorëzimit në regjistrin penal të Prokurorisë së Tiranës, tashmë i ka kaluar grupit hetimor që po bën shqyrtimin e tij.

Në ditën e dorëzimit të kallëzimit penal në Prokurori, ministri i Financave Shkëlqim Cani gjatë një raportimi para Komisionit të Ekonomisë në Parlament, ka dhënë përgjigjen e tij për akuzat. Ai ka thënë se financimi përmes kredisë nuk mund të lëvrohej, pasi nuk plotësohej kushti kryesor që bënte fjalë për destinacionin e parave. “Ne do të jemi pengesë përherë për kredi, që nuk janë në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore”, ka pohuar ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

KALLËZIMI I BASHKISË
Më 14 nëntor 2014, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, dorëzoi në Prokurori padi penale ndaj ministrit të Financave, Shkëlqim Cani. Kallëzimi i Bashkisë së Tiranës, siç thanë burimet zyrtare, është bërë për shkak të bllokimit të qëllimshëm dhe pa arsye të pagesave ndaj kompanive që po punojnë për ndërtimin e bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës. “Ndalimi i këtyre pagesave, pavarësisht kërkesave të shumta, të njëpasnjëshme të Bashkisë Tiranë për zhbllokim, ka sjellë dëme ekonomike, penalitete të parashikuara në kontratë për Bashkinë e Tiranës”, deklaroi Bozdo më 14 nëntor, pas dorëzimit të kallëzimit penal në Prokurori.

Ai pretendoi se bllokimi i pagesave ka dëmtuar rëndë interesin ekonomik të qytetarëve të Tiranës, të cilët do të përfitonin nga ndërtimi i këtyre veprave dhe, nga ana tjetër, kanë lënë pa punë dy mijë punëtorë, të cilët ishin të punësuar direkt në ndërtimin e këtyre dy veprave të mëdha. Sipas kallëzimit, pas pengesave të vazhdueshme me bllokimin e buxhetit të Bashkisë dhe me ndërhyrjet e INUK, akti i fundit pengues për ndërtimin e bulevardit ka qenë vendimi i ministrit të Financave, Shkëlqim Cani. “Akti i fundit për të cilin do të hetohet ministri i Financave Shkëlqim Cani, është bllokimi i procedurave të financimit”, ka deklaruar Bashkia e Tiranës në momentin e dorëzimit të kallëzimit në prokurori.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: