TIRANË

Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani ka mbërritur në prokurorinë e Tiranës për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me kallëzimin e Kreut të Shtetit.
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka paditur Dvoranin për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘përvetësim të kompetencave’ në rastin e emërimeve për Gjykatën Kushtetuese.

Dje ishte Presidenti Meta i pari që dha dëshminë e tij në Prokurori, për të cilën ka thënë se dha sqarime plotësuese në lidhje me dokumentet dhe faktet e depozituara më herët.

Më pas ai ka publikuar edhe një video për të ritheksuar akuzat ndaj kreut të KED-së Ardian Dvorani, si përgjegjësin kryesor për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetutese. Kreu shtetit thekson se arsyeja e mosngritjes është bllokimi i funksionimit të KED për dy vite, me synim që në krye të saj të ishte Ardian Dvorani. Presidenca akuzon Dvoranin për mungesë transparence, qëllimi i së cilës ishte manipulimit të procesit.

Ndërkohë gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se nesër pritet të japë dëshminë e saj avokatja e popullit Erinda Balanca si dhe kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha dhe më tej anëtarët e KED.

Prokuroria pritet të sekuestrojë edhe procesverbalet e mbledhjeve të KED dhe regjistrimet audio të mbledhjeve të këtij institucioni kyç të sistemit të drejtësisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb