Pas padisë së kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarit gjerman Peter Tiede, që publikoi përgjimet në të përditshmen gjermane Bild, vjen edhe reagimi i tij.
Peter Tiede ka komentuar në Twitterin e Ramës dhe e pyet: Për çfarë më akuzoni? Më akuzoni për publikimin e së vërtetës?
Tiede ka publikuar në gazetën gjermane “Bild” përgjime të dosjeve 339 dhe 184 në lidhje me skandalin e blerjes së votave në Shqipëri, përkatësisht në zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës në Durrës, si edhe në zgjedhjet lokale të 2016-ës, në Dibër. Nga përgjimet del se funksionarë të lartë, deri tek kryebashkiaku Vangjush Dako, si dhe ministra të qeverisë Rama, si Gjiknuri e Tahiri kanë komunikuar me personazhe të botës së krimit, të vënë në funksion të mbledhjes së votave, përmes shantazheve që iu bënin njerëzve.
Statusi i Rames
“Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e BILD! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije.“ -shkruan Rama në Twitter.
(m.a/BalkanWeb)