TIRANE- Kontrolli i Lartë i Shtetit u ka dërguar një letër zyrtare ditën e sotme kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe krerëve të grupeve parlamentare ku kërkohet ngritja e një komisioni të posaçëm ekspertësh. Sipas KLSH, ky komision duhet të shqyrtojë raportin e auditimit të ushtruar në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë.

Në këtë komision, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të raportojë në lidhje me auditimin dhe rezultatet në përfundim të tij.

Ndërkaq, në këtë letër, KLSH paraqet edhe një kërkesë për një seancë të posaçme parlamentare, lidhur me auditimin dhe padinë e ngritur ndaj ministrit Damian Gjiknuri.

KLSH thekson se do të marrë pjesë në këtë komision që do të shqyrtojë auditimin në MEI.

Sipas KLSH, nga auditimi i realizuar në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë ka rezultuar se nga marrëveshja me CEZ i është shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 479 mln euro.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: