Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për shpërdorim detyre për çështjen e Teatrit Kombëtar.
SPAK i ka kthyer përgjigje Partisë Demokratike ku konfirmon se ka nisur hetimet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës mbi bazën e kallëzimit të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të bërë më 31 dhjetor 2019 dhe 23 janar 2020.
Në një letër dërguar PD, siguruar për “BalkanWeb” nga gazetari Osman Stafa thuhet se edhe kallëzimi i bërë nga ky subjekt është bashkuar me këtë procedim penal. Ndërkohë që lidhur me fazën ku ndodhen hetimet, SPAK deklaron se për shkak të sekretit hetimor nuk mund të japë informacion për veprimet hetimore konkrete.
“Gjithashtu ju bëjmë me dije se edhe kallëzimi i bërë nga subjekti politik ‘Partia Demokratike e Shqipërisë’ protokolluar pranë kësaj Prokurorie më 4.6.2020 është bashkuar me këtë procedim penal. Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake dhe organi i akuzës është duke kryer veprime hetimore të plota e të gjithanshme. Për shkak të detyrimit ligjor të ruajtjes së sekretit hetimor, në këtë fazë të hetimeve paraprake, nuk mund t’ju informojmë në lidhje me veprimet hetimore konkrete të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Me përmbajtjen e akteve hetimore të këtij procedimi penal, do të njiheni në përfundimin e hetimeve paraprake”, thuhet në shkresën e firmosur nga drejtuesi i SPAK Arben Kraja.