Drejtuesi politik i PD-së i Qarkut Lezhë, Agron Gjekmarkaj, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit ka zhvilluar një takim me banorë të Shëngjinit, ku prezantoi edhe programin, që sipas tij është ambicioz dhe i jep fund abuzimeve.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Gjekmarkaj tha se me programin e PD Shëngjini do të transformohet në një destinacion turistik të vërtetë.

Postimi i Agron Gjekmarkajt

Shëngjini, një nga qytetet bregdetare më tërheqëse të Shqipërisë, është lënë pa asnjë investim serioz nga rilindja. Mungesa e ujit të pijshëm dhe energjia elektrike janë një shqetësim serioz për bizneset dhe sipërmarrjet lokale. Një infrastrukturë e rrënuar që rëndojnë jetën e komunitetit dhe të turistëve.

Programi i Partisë Demokratike synon t’i japë një drejtim të ri zhvillimit të Shëngjinit, duke e transformuar atë në një destinacion turistik të vërtetë, jo më një “hambar taksash”, siç ka ndodhur deri tani.

Mungesa e investimeve në rrugën Milot-Balldre, që është shpesh përdorur nga pushteti në ikje si një propagandë, mbetet një problem i pazgjidhur. Ky segment ka nevojë urgjente për përmirësime, për të lehtësuar qarkullimin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Po ashtu, një tjetër problem serioz për Shëngjinin ka qenë dhe mbetet zjarri që shkrumboi kurorën e “Ranës së Hedhun”, një ngjarje e dyshimtë dhe ende pa autorë.

Zhvillimi i Shëngjinit do të jetë prioritet i qeverisjes së ardhshme. Peshkimi, do të ketë mbështetje të fuqishme, me një program që ul çmimin e naftës për këtë industri me 50%, duke mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm të tij.

Programi i PD-së është i qartë: investime të drejtpërdrejta, mbështetje për të gjitha sektorët dhe luftë të ashpër kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, për t’i dhënë fund abuzimeve dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët.

PD është e angazhuar të krijojë kushte për një rritje të pagave, ku pensionet do të jenë jo më pak se 200 euro, pagat minimale do të arrijnë në 500 euro dhe ato mesatare në 1200 euro. Ky program ambicioz do të sigurojë një mbështetje të barabartë dhe zhvillim për çdo shqiptar, duke ofruar mundësi dhe kushte më të mira për të gjithë. Bashkë, ne mund ta bëjmë Shëngjin dhe të gjithë Shqipërinë të zhvillohen dhe të lulëzojnë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb