Zbardhet vendimi i qeverisë që u miratua ditën e sotme, që lidhet me shpërblimin me një pagë minimale për çdo muaj, për të gjithë naftëtarët dhe ish-naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit.

Në këtë vendim përcaktohen qartë dokumentacion dhe se kush e përfiton këtë pagesë për periudhën janar 2022 deri në dhjetor 2022.

Ky VKM përcaktohen dhe kategoritë, punonjës, apo ish-punonjës që kanë dalë në pension.

VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË MASËS SË PËRFITIMIT NGA PUNONJËSIT DHE ISH-PUNONJËSIT E RAFINERISË SË NAFTËS, BALLSH

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Dhënie pagese kalimtare, në masën e pagës minimale në shkallë vendi, për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh, pas verifikimit nga zyra përkatëse e punësimit të listës emërore, sipas vendimit nr.909, datë 18.11.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh”, të ndryshuar, për çdo muaj, për periudhën janar 2022– dhjetor 2022.
2. Punonjësve, sipas pikës 1, të këtij kreu, t’u paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për pjesën e punëmarrësit e të punëdhënësit për periudhën janar 2022 – dhjetor 2022, duke iu transferuar fondi përkatës Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

II. KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE
1. Pagesa kalimtare për punonjësit, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, jepet çdo muaj për periudhën janar 2022 – dhjetor 2022, pranë zyrës së punësimit, ku kanë vendbanimin.
2. Pagesa kalimtare përfitohet nga punonjësit, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, pavarësisht nëse kanë përfituar apo jo më parë ndihmë financiare.
3. Pagesa kalimtare u jepet punonjësve sipas listës së miratuar me vendimin nr.909, datë 18.11.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh”, të ndryshuar, pas verifikimeve nga zyra përkatëse e punësimit, duke përjashtuar nga përfitimi personat që:
a) janë të punësuar apo vetëpunësuar;
b) kanë dalë në pension pleqërie apo invaliditeti;
c) nuk janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë.
4. Punonjësit kërkues duhet të paraqesin pranë zyrës përkatëse të punësimit të dhënat e mëposhtme identifikuese, si:
i. emrin, mbiemrin;
ii. numrin personal të identifikimit;
iii. llogarinë bankare, në të cilën ka marrëveshjen zyra e punësimit;
iv. IBAN-in e llogarisë bankare.

III. PROCEDURA E VERIFIKIMIT PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE
1. Zyra përkatëse e punësimit, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e kërkesës, bën verifikimet përkatëse në sistemin tatimor mbi të dhënat e deklaruara nga kërkuesit.

2. Zyra përkatëse e punësimit, brenda 5 (pesë) ditëve të çdo muaji, gjatë periudhës së përfitimit, bën verifikimet sipas pikës 1, të këtij kreu, përpilon listat përmbledhëse të përfituesve, të ndara për çdo bankë të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë rrjedhëse bankare, të cilat i dërgon pranë bankës së nivelit të dytë. Lista duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme:
a) Emrin, mbiemrin e përfituesit;
b) Numrin personal të identifikimit të përfituesit;
c) Bankën, ku ka marrëveshjen zyra përkatëse e punësimit;
ç) IBAN-in e llogarisë bankare;
d) Masën e pagesës.
3. Zyra përkatëse e punësimit ruan dhe administron dokumentacionin e përcaktuar sipas këtij vendimi, në përputhje me dispozitat ligjore e nënligjore të parashikuara për ruajtjen e dokumentacionit dhe arkivat.

IV. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Fondi prej 420 000 000 (katërqind e njëzet milionë) lekësh përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2022 për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, përkatësisht në zërin “Pagesa e papunësisë”, të programit buxhetor 10550 “Tregu i punës”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb