TIRANË- Studentët e universiteteve private hyjnë sërish në grevë. Mësohet se rreth 50 studentë kanë ngritur çadra pranë Rektoratit ku do të zhvillojnë grevën.

Studentët gjatë pasdites kanë ngritur çadrat ku do të qëndrojnë gjatë grevës. Mësohet se ato kanë marrë leje nga Bashkia. Teksa kanë informuar policinë dhe shërbimin zjarrfikës. Vajzat studente pritet t’i bashkëngjiten grevës së urisë nesër, për shkak të infrastrukturës.

Studentët i kishin dhënë ultimatum Ministrisë së Arsimit deri në orën 16:30 të kthente një përgjigje për të ulur tarifën e studimit. Por pas mungesës së përgjigjesh nga ana e MAS, studentët e transferuar nga universitete private në ato publike, iu rikthyen grevës, derisa të vendoset që tarifa e tyre e studimit të jetë e njëjtë me atë të studentëve që kanë nisur që në fillim studimet e larta në institucionet publike arsimore.

Studentët kundërshtojnë tarifat e larta të shkollimit, duke i cilësuar ato si diskriminuese. Të premten ata u futën në grevë, duke paralajmëruar Ministrinë e Arsimit se do të vijonin nëse nuk ndërmerreshin masa për përmbushjen e kërkesave të tyre. Por të dielën, forca të shumta Policie mbërritën në orën 02:15 në Fakultet pa paralajmëruar, për të nxjerrë nga greva 32 studentët e ngujuar aty prej ditës së premte. Ata kanë shkallmuar derën kryesore dhe kanë thyer xhamat e godinës, ku prej një jave qëndronin të varura pankarta ku kërkohej ulja e tarifës së shkollimit. Gjatë ndërhyrjes, efektivët nuk kanë kursyer as dhunën ndaj të rinjve, të cilët kanë bërë rezistencë.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: