Arrestohet me urdhër të SPAK Albert Pashaj. Sipas SPAK, Albert Pashaj ka paguar Henrik Hoxhajn, i penduar i drejtësisë, ushtar i Nuredin Dumanit për të vrarë Aredin Beharin, por dy tentativa kanë dështuar dhe shënjestra Aredin Behari i ka shpëtuar dy atentateve mrekullisht.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Pashaj pagoi 80 mijë euro për vrasjen e Beharit herën e dytë pas dështimit të atentatit të parë, ku Behari pikasi autorët dhe u ul në tokë dhe i shpëtoi plumbave nga Skerdi Tase, i punësuar nga Henrik Hoxhaj, i cili është një nga personat që dyshohet se ka folur për këto atentate, por herën e dytë, Henrik Hoxhaj, nuk mundi ta finalizojë pasi iu bllokua arma.
Si Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase ndodhen pas hekurave në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”.
NJOFTIMI I SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 75/2022, të regjistruar për veprat penale të “Vrasje me paramendim”, “Vjedhje me armë”, “Vjedhje me dhunë”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” etj, të parashikuara nga nenet 78/2, 139, 140, 80, 152, 278/1, 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 72 datë 25.06.2023 ka vendosur:
• Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Albert Pashaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasja me paramendim”, e kryer për interes, në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, e kryer në dëm të Aredin Behari, dy herë, (në datat 05.11.2017 dhe 03.04.2019), në qytetin e Fierit, në bashkëpunim me të hetuarit Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase, parashikuar nga nenet 78/2, 22, 25, të Kodit Penal.
Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 26.06.2023.
Nga hetimet ka rezultuar se, për shkak të konflikteve të vazhdueshme midis vëllezërve Albert Pashaj dhe të dëmtuarit Aredin Behari, i hetuari Albert Pashaj, ka vendosur të vrasë shtetasin Aredin Behari në vitin 2017. Për të realizuar këtë qëllim, ai ka kontaktuar të hetuarin Henrik Hoxhaj, që të kryeje vrasjen e shtetasit Aredin Behari kundrejt pagesës.
Shtetasi Henrik Hoxhaj pasi ka marrë përsipër të kryejë këtë veprim, ka kontaktuar lidhjen e tij, të hetuarin Skerdi Tase, me qëllim që vrasjen të kryenin së bashku (Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase ndodhen aktualisht të arrestuar). Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase pasi kanë rënë dakord për të kryer vrasjen e shtetasit Aredin Behari kundrejt pagesës, kanë siguruar armën e krimit kanë vëzhguar viktimën dhe kanë përcaktuar ekzekutorin i cili do të ishte Skerdi Tase në datën 05.11.2017. Për arsye që nuk vareshin nga vullneti i hetuarve Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase vrasja e Aredin Beharit nuk u arrit të finalizohej, pasi objektivi i ka pikasur menjëherë dhe është shtrirë në tokë.
Por porositësi Albert Pashaj nuk është ndalur këtu. I hetuari Albert Pashaj ka dashur ta finalizojë krimin e nisur në 2017 dhe në vitin 2019 (vrasje e shtetasit Aredin Behari) duke e çuar pagesën në 80.000 euro.
Për këtë arsye, të hetuarit Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase, riorganizohen, duke gjetur automjetin, armën e krimit dhe pas vëzhgimit të objektivit (Aredin Behari) në datën 03.04.2019, vendosin të vrasin atë. Ekzekutor në këtë rast u vendos të ishte Henrik Hoxhaj, duke qenë se herën e parë i hetuari Skerdi Tase nuk e finalizoi me sukses.
Edhe këtë rast për fatin e mirë të viktimës (shtetasit Aredin Behari) krimi nuk u arrit të finalizohej, pasi të hetuarit Henrik Hoxhaj, pas goditjes së parë iu bllokua arma e llojit automatik kallashnikov.