VLORE- Policia e Vlorës ka arrestuar dy punonjës policie, pasi akuzohen se kishin pajisur me pasaportë false Viron Robajn, skafistin e shpallur në kërkim ndërkombëtar për tragjedinë e 9 janarit të vitit 2004. Bëhet fjalë për Leonel Begaj, me detyrë inspektor në komisariatin e këtij qyteti, dhe kryeinspektorin Lirim Lamaj.

Burime nga policia lokale pohuan se dy efektivët i kishin siguruar Robajt pasaportë biometrike me gjeneralitetet e një personi tjetër. Ndalimi i tyre u bë pasi Prokuroria e Vlorës, mbi bazën e hetimeve intensive, ka regjistruar procedimin penal në vitin 2015 dhe ka nxjerrë urdhrat e ndalimit në ngarkim të këtyre punonjësve. Dy efektivët akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”.

Nga hetimet e kryera rezultoi se Leonel Begaj, me cilësinë e personit që pranon aplikimet për pajisje me pasaportë biometrike, në bashkëpunim me Lirim Lamajn, në cilësinë e punonjësit të policisë që kryen verifikimin e të dhënave të aplikimit, në 27 nëntor të vitit të kaluar kanë pajisur me mjet identifikimi Viron Robajn, me gjeneralitetet e shtetasit F.K..
Viron Robaj ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën
penale “Dhënie të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen”. Ndërkohë, gjykata e Vlorës, me vendim të formës së prerë e ka dënuar atë me 25 vjet
burg, për tragjedinë e datës 9 janar të vitit 2004, ku humbën jetën 21 persona.
Robaj është arrestuar në Itali nga Policia italiane, e cila e ka identifikuar me anë të gjurmëve. Atij iu sekuestrua pasaporta me të dhëna të rreme, me gjeneralitetet e shtetasit F.K. Mësohet se shteti fqinj njoftoi zyrat e Interpolit shqiptar, të cilat bënë të mundur dhe identifikimin e autorëve të dyshuar që lëshuan pasaportën biometrike false. Ndërkaq, Prokuroria e Vlorës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb