Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ju përgjigj nga foltorja e Kuvendit pyetjes se ““Cilët janë elementët konkretë të reformës në Policinë e Shtetit dhe a do të vazhdojë vala e ndryshimeve në strukturën e saj?””?

Ministri deklaroi se në këto katër vite do të ketë strukturim, moderim dhe futje të teknologjisë në strukturat e Policisë së Shtetit. Sipas tij, gjatë këtij mandati do të futen në përdorim pajisje super-inteligjente për të kontrolluar të gjithë territorin, si dhe do të vendosen kamera në çdo segment rrugor.

Fjala e ministrit:

Një herë në radhë të parë, si elementë kryesorë që do të përshkojnë gjithë reformën në Policinë e Shtetit do të jenë: strukturimi, modernizimi, futja e teknologjisë dhe përdorimi i teknologjisë së fundit.

Kështu në lidhje me kontrollin e territorit, përveçse do të strukturojmë Policinë e Shtetit ku çdo kilometri katror, do t’i caktojmë një trupë policore për të pasur një kontakt të përditshëm me çdo dhunim, që mund t’i bëhet territorit të Shqipërisë.

Gjatë këtij mandati do të futim edhe përdorimin e teknologjisë dhe pajisjeve super-inteligjente për të kombinuar këtë kontroll, në mënyrë që asnjë centimetër apo metër katror i Republikës së Shqipërisë, mos të dhunohet më siç është bërë rëndom në këto 30 vjet. Dhe sipas parimit që Policia do të jetë forca e vetme për evidentimin e çdo paligjshmërie në territor.

Në lidhje me sigurinë rrugore, me gjithë rezultatet e arritura do të fillojmë edhe një herë nga puna për rishikimin e legjislacionit, për të forcuar masat ndëshkuese në Kodin Rrugor. Por do të rrisim edhe investimet në sistemin e monitorimit të trafikut, dixhitalizimin e proceseve që lidhen me përdoruesit e automjeteve apo sjelljen e tyre. Në këtë mandat synohet vendosja e kamerave në çdo kryqëzim të Shqipërisë.

Në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar do të vazhdojmë reformimin nën parimin ‘ndiq paranë’ dhe sigurisht që do të jetë një prioritet kryesor i kësaj Qeverie. Do të rishohim strukturën e krimit ekonomik në Policinë e Shtetit me mbështetje dhe asistencë të Policisë Federale Gjermane, për të rritur kapacitetet investiguese. Shumë shpejt në këtë parlament do të paraqesim këtë strukturë të re.

Për sa i takon integritetit institucional të Policisë së Shtetit, një element shumë i rëndësishëm sidomos duke marrë parasysh që Policia e Shtetit tashmë është depolitizuar, do të synojmë që të transformojmë Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në një Agjenci të Mbikëqyrjes Policore. Brenda këtij viti, në këtë parlament do të sjellim legjislacionin sipas modeleve perëndimore më të avancuara. Ligji i ri për këtë transformim po përgatitet me asistencën e drejtpërdrejtë të partnerëve tanë amerikanë.

Ashtu siç kemi bërë në gjithë këto vite, gjithashtu do të vijojmë, edhe të ulim moshën mesatare të punonjësve në trupën e Policisë së Shtetit.

Sa i takon pyetjes në lidhje me valën e ndryshimeve në piramidën drejtuese të Policisë së Shtetit, mund t’ju them që çdo lëvizje në piramidën e Policisë së Shtetit do të bëhet sipas performancës së gjithsecilit dhe në mbështetje të plotë të kuadrit ligjor. Faleminderit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb