Presidenti Ilir Meta iu është përgjigjur pyetjeve të deputetit të opozitës në Kuvend, Adriatik Alimadhi, lidhur me dekretin e tij për rrëzimin e 30 qershorit si datë të zgjedhjeve lokale.

I pranishëm në Komisionin Hetimor, deputeti Alimadhi e pyeti Metën nëse dekreti i tij forcon unitetin e popullit dhe nëse i shërben pajtimit. Në përgjigjen e tij, Kreu i Shtetit ka pohuar që dekreti i tij të ketë qenë pozitiv, duke u shprehur se pas tij nuk pati më përplasje dhe situata u qetësua


Alimadhi: Presidenti përfaqëson unitetin e popullit. Dekreti juaj e forcon unitetin e popullit?
Meta: Po. Fakti që pas aktit tim situata në vend u qetësua, unë mendoj se i shërbeu qetësimit në vend.


Alimadhi: Do doja t’i përmbaheni më shumë Kushtetutës, sesa Konventave. Në betimin tuaj keni thënë “Do t’i shërbej interesit të qytetarëve dhe pajtimit”. Dekreti juaj i shërben pajtimit apo përçarjes më shumë?
Meta: Fakti që u qetësua situata pas 10 qershorit, nuk kemi pasur probleme apo përplasje. Më 30 qershor mund të kishim pasur një situatë tjetër jo të mirë në gjithë vendin. Kjo është e qartë.


Alimadhi: Dekretet e hedhura poshtë nga KQZ, ju i keni çuar në Gjykatën Kushtetuese?
Meta: Dekretet janë në fuqi. Qëndrimi i Presidentit është tërësisht i qartë, unë nuk jam i paqartë për dekretet e mia, kush është i paqartë le të ndjekë rrugë tjera.

Alimadhi: Pse nuk treguat ju interes dhe për partitë e tjera, por vetëm për partitë e opozitës?
Meta: Kjo nuk është e vërtetë, i kam takuar të gjitha partitë. Kam takuar edhe kryetarë të tjerë që kanë shprehur dëshirë, ju nuk keni kërkuar një takim, se do ju kisha pritur me shumë dëshirë.

Alimadhi: Situata është shumë e rëndë, si e shikoni ju, ose kontributi juaj në balancimin politik për interesin kombëtar? Si mendoni ju që ky vend ka nevojë për zgjidhje dhe pajtim kombëtar?
Meta: Nuk kam ardhur këtu për të kërkuar ndihmë, por për të dhënë shpjegime. Lidhur me zgjidhjen, mendoj se zgjidhja minimale për të mos minuar procesin e integrimit ka qenë, ndoshta ende mbetet, por koha është kufizuar tashmë shumë dhe mungesa e dialogut vijon nga të dyja palët, zgjedhjet e 13 tetorit, për të mbyllur këtë kapitull. I vetmi institucion që nuk mban asnjë përgjegjësi është Presidenti i Republikës. Zgjidhja e vetme është të mos flasin më në interes të qytetarëve, por t’iu japin mundësinë atyre të shprehen për zgjedhjet vendore, të Parlamentit dhe të Presidentit. Nëse Ilir Meta ka dëmtuar interesin kombëtar, unitetin e popullit dhe Kushtetutën, gjykimi më i mirë është ai i popullit.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb