Nga: Fatos Çoçoli*
Vota “Jo” ndaj kushteve të Grupit të Kreditorëve e mbi 60 për qind të 7 milionë grekëve që votuan të dielën e kaluar, mund të shërbejë (shpreson qeveria greke) si një presion popullor-nxitje për të gjetur një zgjidhje për borxhin grek. Kancelarja gjermane Merkel tha mbrëmë në Paris, në një takim me kryeministrin francez, se presin propozimet e reja të qeverisë greke. Këto mund të vijnë pikërisht sot në Bruksel, në mbledhjen e nivelit të lartë të grupit të vendeve kreditore të Greqisë. Për të bërë përshtypje të mirë përpara kreditorëve, pasi mori një mandat nga populli i saj për t’u tërhequr veshin atyre për kushtet e rënda të imponuara deri tani, qeveria greke sakrifikoi dhe ministrin e saj të Financave, Varufakis, duke e zëvendësuar dje me biseduesin e saj me kreditorët, Euklid Tsakalotos. I pari kishte qenë një bashkëbisedues sfidues për kreditorët, duke i kritikuar publikisht ata nëpër intervista për mediat ndërkombëtare, ndërsa Tsakalotos mbahet si bisedues i zoti, i diplomuar në Oksford dhe me mënyrat e sjelljes ato të duhurat, për të mos zemëruar evropianoperëndimorët që kanë dhënë qindra miliarda euro për Greqinë. Nga sjellja e qeverisë greke këtej e tutje varen shumë gjasat nëse Greqia do të qëndrojë në eurozonë. Kjo qeveri po kërkon dëshpërueshmërisht një vend më të cekët për të ankoruar ekonominë e trullosur të vendit të saj. Ne, si vend fqinj me Greqinë dhe i lidhur me mijëra fije me biznesin dhe jetën shoqërore greke (kemi ende 700 mijë emigrantë atje), duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm. Qeveria jonë ka për detyrë të vlerësojë çdo skenar të mundshëm në krizën e fqinjit. Shumë qytetarë te ne ngrenë pyetjen sot: Sa të sigurta janë bankat greke në Shqipëri? Largimet e depozitave nga qytetarë grekë, por edhe të emigrantëve tanë nga bankat tregtare greke në Athinë, Selanik, etj., të ndodhura dy javë më parë, pak ditë pasi qeveria t’u impononte bankave lëshim parash nga bankomatet vetëm për 60 euro maksimumi në ditë, i kanë shqetësuar. Edhe pse ky shqetësim duhet të jetë minimal, pasi jemi vendi më i mbrojtur dhe më pak i prekur në Ballkan nga kriza greke (ndryshe nga shtete të tjera në rajon, qeveria apo shteti shqiptar nuk i kanë dhënë borxh apo t’i kenë blerë bono thesari qeverisë greke), duhet të marrim masat tona. Që nga viti 2012, me anën e një rregulloreje të veçantë të Bankës së Shqipërisë, degët apo filialet e bankave greke në Shqipëri janë organizuar e trajtuar si banka lokale shqiptare, të shkëputura nga varësia e plotë me bankat mëmë në Athinë e Selanik. Të tria bankat greke tek ne kanë vetëm kapitalin (rreth 15 për qind të aktiveve bankare) të shtetit fqinj. Të gjitha depozitat me të cilat veprojnë janë të shqiptarëve. Bankat “NBG”, “Alfa” dhe “Tirana Bank” nuk varen nga eurot dhe kapitalet e bankave mëmë dhe as kanë detyrimin të furnizojnë me euro apo financime të tjera bankat mëmë. Megjithatë, këto ditë Banka e Shqipërisë ndërmori dhe një masë shtesë sigurie, duke mos i lejuar të transferojnë para jashtë Shqipërisë. Por edhe pse “shëndeti” i tyre financiar konsiderohet normal, “mjeku”, banka jonë qendrore duhet të bëjë kujdes. Duhet t’u zhvillojë këtyre tri bankave greke ato që quhen në gjuhën teknike “stress tests”, prova që kryhen shpesh në të gjitha vendet e zhvilluara, për të parë gjendjen reale të bankave tregtare. Ka ndodhur, për shembull, që të dhënat nga Shoqata e Bankave të Shqipërisë ta nxjerrin njërën nga bankat greke për vitin 2014 me fitim, ndërkohë që vetë banka ka deklaruar se ka dalë me humbje. Edhe në të kaluarën, raportimet dhe statistikat e dhëna nga këto banka greke për bilancet dhe rezultatin e tyre financiar nuk kanë qenë të plota. Edhe pse Banka e Shqipërisë garanton se 1.2 miliardë euro depozita të shqiptarëve që ndodhen në këto banka janë të sigurta, çdo kontroll i mëtejshëm dhe mbikëqyrja e rreptë janë të udhës. Ndërkohë, është e sigurt se dërgesat e emigrantëve tanë nga Greqia do të vazhdojnë të zvogëlohen me shpejtësi, duke shkaktuar probleme në nivelin e jetesës dhe konsumit të mjaft familjeve shqiptare që bazohen në këto para. 80 apo 100 milionë euro në vit dërgesa më pak janë shumë të ndjeshme për ekonominë dhe konsumin tonë. Këtë qeveria jonë duhet ta ketë mirë parasysh në planet e saj të investimeve, qoftë edhe për gjysmën e dytë të këtij viti, nëse risheh buxhetin tani në korrik. Një pjesë e bizneseve greke, që janë ende të pranishme në sektorin tonë fason (prodhimi me material porositësi, si veshje, këpucë, etj.), sidomos në jug të vendit, po ndeshen me vështirësi të mëdha, gjë që nuk përjashton largim apo pakësim të ndjeshëm të aktivitetit të tyre tek ne. Investimet greke në Shqipëri do vijnë duke u zvogëluar fort. Të paktën për aq vite sa do të zgjasë kriza greke. Ky boshllëk duhet mbushur me politika ekonomike e financiare kurajoze nga ana e qeverisë, si dhe me nxitjen e investimeve të tjera të huaja. Rasti i dy kompanive gjermane me emër në prodhimet elektrike për automjete, si “PSZ” dhe “Forschner”, që kanë hapur fabrika edhe tek ne, është zemërdhënës për ekonominë tonë. Çdo e keqe e ka edhe një të mirë, thotë populli. Largimet e depozitave nga bankat greke në vendin fqinj mund t’i shtyjnë emigrantët tanë atje që kursimet e tyre t’ua besojnë bankave të tjera vepruese në Shqipëri. Këto të fundit duhet të organizojnë oferta tërheqëse për paratë e shqiptarëve në Greqi, që janë me qindra milionë euro.


(g.b/GSH/BalkanWeb)



Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: