Mbahet pak orë më pas protesta e opozitës para Kryeministrisë. Mbështetësit e opozitës pritet të tubohen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” prej orës 18.00. Protesta do të monitorohet për mbarëvajtjen e saj nga rreth 1500 forca policore. E konceptuar si e pangjarë në krahasim me protestat e tjera, PD ka njoftuar se protesta do të zgjasë 4 orë, por që ka lënë të hapur opsionin e zgjatjes së saj përtej ores 22.00.
Uniformat blu kanë marrë edhe masat e para. Pas përforcimit të dyerve të Kryeministrisë me veshje metalike, lëvizje tjetër tjetër ka qenë lyerja me graso e shtyllave ku janë vendosur kamerat e sigurisë.
Gazetari Igli Çelmeta raporton se një masë e tillë merret me qëllim që protestuesit të mos hipin në shtylla dhe të heqin kamerat.
Opozita proteston sot pasdite pas dënimit me 1 vit burg të deputetit demokrat Ervin Salianji, protestë e cila nuk do të ketë fjalime, por do të zhvillohet në disa plane, nga grumbullimi para Kryeministri dhe institucioneve të tjera, te marshimi në këmbë drejt bllokimit të akseve rrugore.
PD e konsideron vendimin e Gjykatës së Apelit të diktuar politikisht dhe të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Salianji u dënua për kallëzim të rremë në rastin e denoncimit të Agron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj se ishte i dënuar me 7 vjet burg në Itali, por në Shqipëri lëvizte i lirë dhe madje, sipas një audiopërgjimi, ishte i përfshirë edhe në trafik droge nga Shqipëria me destinacion te fqinjët përtej Adriatikut.
(BalkanWeb)