TIRANE- Vetëm pak orë nga skadimi i afatit për t’u regjistruar në KQZ për zgjedhjet e 18 qershorit, me tone të larta, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri thirrje rivalit të tij politik, kryeministrit Edi Rama, për dialog. Nga ‘çadra e lirisë’, atje ku pjesë e saj janë bërë dhe aleatët e opozitës, Basha theksoi edhe njëherë faktin se PD nuk heq dorë nga qeveria teknike.

“Ju e dini se vendosmëria dhe qendrat për vlerat e vërteta në jetë është gjithmonë rruga dhe vendimi i duhur, pavarësisht sakrificës. Ndaj dua t’ju falënderoj të gjithëve për kurajon atdhetare që keni dëshmuar këto ditë, në këto javë, për gatishmërinë për të qëndruar së bashku deri në fitore të kauzës tonë. Jemi përballu me shantazhet, me fyerje, me gjuhën e drunjtë të cinizmit të pashpirt qe vendos që interesat e një njeri mbi interesat e shqiptarëve, demokratë e socialistë. Ne i jemi përgjigjur ditë për ditë më këtë monedhën; qëndresën demokratike, qëndresën qytetare për të vendosur për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë ndaj qeverisë. Muzgu i republikës së vjetër po bie, agimi i një Republike të re po lind. Jemi sot këtu të gjithë bashkë me njëri tjetrin, dhe kemi marrë një përbetim që tejkalon çdo politikë, të çdo koalicioni që është i madh, fisnik sa vetë Atdheu ynë.”, tha Basha.

Nga ana tjetër Basha foli për muzg të qeverisë ‘Rama’ dhe lindjen e Republikës së re. Ndërkohë, lideri i PD-së, falenderoi publikisht dhe partitë e tjera, jashtë koalicionit të opozitës, që mbështesin kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Ne nuk e kërkuam këtë detaje, por na e dhanë se menduan se një popull i tërë mund të shkelet dhe mund t’i mbyllet goja me zgjedhje fasadë. Ne erdhëm në këtë betejë me një synim, me një premtim; jo t’i ndajmë, por t’i bashkojmë shqiptarët në zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dhe sot me gojën plotë dhe zemrat plotë, i shoh këtu, të djathë e të majtë, të bashkuar në fitoren e përbashkuar. Kemi kërkuar, ftuar dhe duam dialog, Tashmë ishim në pritje të dialogut. Kurrë nuk është vonë, edhe sot nga ky shesh, ftesa jonë, ftesa ime dhe e juaja është që t’i japim fund kësaj krize. Është dhe duhet të jetë zgjidhja përmes zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike. Nga ky shesh do i themi jo përçarjes, pasi askush nuk vlen më shumë se shqiptarët. Kjo ëndërr është shumë e madhe për të qëndruar në shpatullat e një personi. Nuk do lejojmë zgjedhje fasadë. Askush nuk e ndal këtë lëvizje, pasi garant janë miliona shqiptarë që duan të marrin në dorë fatin e vendit. Më lejoni në këtë muzg të republikës së vjetër të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë që këtë qëllim të përbashkët. Falënderoj të gjithë faktorët polikë brenda koalicionit tonë si dhe forcat politike që janë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dita e fitores është afër, Zoti e bekoftë Shqipërinë.”, pohoi ai.
(ed.me/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb