Ditën e sotme pritet vendimi për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor nga KQZ. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, juristi Jordan Daci u shpreh se beson se PD e grupimit të Enkelejd Alibeajt do të regjistrohet për zgjedhjet e 14 majit.

Nga ana tjetër ai shtoi se druhet se grupimi i Sali Berishës mund të regjistrohet. Sipas Dacit, është me rëndësi që të dyja këto kampe në PD të vendosin në plan të parë interesat e opozitës dhe vendit, dhe të mos kenë debate “për karrigen”.

Sipas tij PD sot formalisht përfaqësohet nga Basha, por në përmbajtje dhe në madhësi përfaqësohet nga Berisha.

“Mendoj se nga pikëpamja formale është e qartë, zoti Basha është ende kryetar dhe dorëheqja nuk ka efekt për Gjykatën, sa kohë nuk është depozituar një akt…

Besoj se do pranohet regjistrimi nga Celibashi.

Fatkeqësia është se pjesa tjetër e PD, që përfaqësohet nga doktor Berisha nuk besoj se do jetë ligjërisht e mundur të regjistrohet. Mendoj se ka ende hapësirë që duke lënë mënjanë interesat personale, të shohin interesat e vendit.

PD duhet të regjistrohet, sigla, emri është një. Ajo sot formalisht përfaqësohet nga Basha, dhe në përmbajtje dhe në madhësi përfaqësohet nga Berisha. Duhet që zëri i PD të jetë bindës, të vendosin në vend të parë interesat e opozitës dhe vendit.

Nëse ata e bëjnë këtë gjë, jam i sigurt se pengesa që sot i ndan, është lehtësisht e kapërcyeshme.

Ajo që nuk po kuptojnë drejtuesit e PD në dy kampet, është nëse kjo që po bëjnë, është ajo që presin ata të shtresës gri dhe të pavendosurit?! Unë mendoj se jo.

Edhe vetë mazhoranca, me të drejtë, ka shfrytëzuar këtë situatë dhe i ka lejuar vetes shumë më tepër gabime që do bënte nëse opozita do ishte më e bashkuar dhe më e organizuar”, u shpreh ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: