Partia Demokratike kundërshton projektligjin e qeverisë të quajtur “paketa e maleve” e cila synon zhvillimin e zonave të thella në funksion të turizmit dimëror.

Anëtari i Kryesisë së PD, Lisandër Hoxha shprehet se paketa e maleve është vjedhje me ligj. Sipas tij, “nisma është akt hajdutërie nga e cila do të grabisë lumenjtë, bjeshkët dhe gjithë thesaret natyrore të këtyre zonave”.

“Një projektligj skandaloz po diskutohet për të lejuar që 500 subjekte të përfitojnë pa taksa pasurinë e përbashkët të komuniteteve në veri dhe verilindje të vendit. Ky është një akt hajdutërie, që synon të grabisë lumenjtë, bjeshkët dhe gjithë thesaret natyrore të këtyre zonave”, shprehet ai.

Postimi

Paketa e Maleve – Vjedhje me Ligj e Pasurive të Malësisë
Të dashur miq,
Një projektligj skandaloz po diskutohet për të lejuar që 500 subjekte të përfitojnë pa taksa pasurinë e përbashkët të komuniteteve në veri dhe verilindje të vendit. Ky është një akt hajdutërie, që synon të grabisë lumenjtë, bjeshkët dhe gjithë thesaret natyrore të këtyre zonave.
Bjeshkët, të cilat janë ruajtur me gjak nga malësorët ndër shekuj, po shiten për 1 euro. Ato kanë qenë trashëgimi e përbashkët dhe janë administruar me kujdes nga fiset e veriut, duke mbrojtur florën, faunën dhe kulturën e këtyre trojeve. Tani, shteti ka vendosur t’i hedhë në pazar për përfitime private.
Ky projektligj është një fyerje për çdo malësor, për çdo trashëgimtar të këtyre trojeve të shenjta. Kush guxon të blejë malin e Shalianit, Gashianit apo Krasniqes? Kush mendon se mund të grabisë Hotin, Grudën apo Kastratin? Këto toka i kanë mbijetuar pushtimit dhe nuk do të nënshtrohen nga një ligj korruptiv.
Ky projektligj:
Shkatërron ekonominë lokale duke falimentuar bujtinat dhe turizmin malor.
I largon malësorët nga trojet e tyre dhe i kthen ata në të huaj në tokën e vet.
Kërcënon ruajtjen e mjedisit dhe trashëgiminë kulturore të këtyre zonave.
Edi Rama dhe ata që kanë firmosur këtë turp duhet ta dinë: Malësia nuk është në shitje! Burrat dhe gratë e malit kanë mbrojtur këto troje brez pas brezi dhe do ta bëjnë përsëri. Grise projektligjin, shoku Rama, sepse këtu nuk ka vend për korrupsion dhe pazare të pista.
Malësia ka Zot!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb