TIRANE- Qeveria ka sot në dorë një paketë që synon të lehtësojë taksat dhe të nxisë zhvillimin e agroturizmit por paralelisht me këtë ka nevojë për promovim. Ministri për Turizmin dhe Mjedisin, Blendi Klosi, vuri theksin pikërisht në këto aspekte në fjalën e tij gjatë një vizite në një fermë kalërimi e cila ka të paktën 40 kuaj në Gjirokastër.

“Ne kemi një paketë fiskale e cila do të kalojë së shpejti në qeveri dhe që do të kërkojë që për agroturizmin ne të kemi një reduktim të sistemit të taksave për t’i nxitur ata që të ecin sa më shumë përpara, por më shumë se kaq ne na duhet që të kemi për turistët edhe alternativa të tjera. Numri i turistëve të huaj që po vjen gjithmonë e më shumë në rritje për një turizëm që edhe ne që jetojmë në Shqipëri nuk kishim informacion. Dhe ka kaq shumë turistë nga Austrialia, Franca, Hollanda që ndjekin turizmin tuaj dhe që tregon se ka shumë nevojë për promovim, ka shumë nevojë për mbështetje, dhe ka shumë nevojë që Shqipëria të shndërrohet në një destinacion të vërtetë turistik europian” tha Klosi.

Sipas tij është e rëndësishme që të bëhet një bilanc I pasurive që kanë të gjitha zonat duke I regjistruar ato në mënyrë që të vijnë si oferta të plota për turistët e interesuar që vizitojnë Shqipërinë.

“Do të donim që me AKZM ne të kishim një evidentim më të plotë të vlerave natyrore që kanë këto krahina për të krijuar edhe një itinerar i cili mbase shumë shpejt të jetë jo vetëm për kuajt por edhe për të ecur turistët dhe për të qenë jo vetëm turistët e huaj dhe kalorësit me certifikata të larta sigurie por të jetë edhe për njerëzit e thjeshtë. Do të kërkojmë shumë edhe nga tur operatorët në Gjirokastër por edhe më gjerë se kaq që itinerarin tuaj ta kenë në guidat si një nga ofertat shumë autentike që ka Shqipëria për turizmin” u shpreh ministri.

Ai e konsideroi mbështetjen e agroturizmit si një pjesë të integruar të objektivit që ka qeveria për rilindjen rurale duke bërë që këto pika turistike të shërbejnë si pole të zhvillimit duke pasur të kombinuar bukuritë natyrore, prodhimet vendase dhe argëtimin për turistët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb